“Progresi që ne kemi bërë në fushën e digjitalizimit, vizioni i qeverisë për t’i dhënë një komoditet qytetarëve duke i ofruar mundësinë e aksesimit të shërbimeve publike përmes teknologjisë, duhet të shkonte bashkëngjitur me sigurinë kibernetike”, tha ai.
Sipas tij, siguria kibernetike është e lidhur me stabilitetin e vendit dhe me sigurinë e vendit në aspektin financiar, ekonomik, të ambientit, fushën ushtarake etj në të cilët teknologjia është prezente.
Tafaj theksoi se, krahas shërbimeve publike online, ofrohen shërbime bankare digjitale që u japin mundësinë qytetarëve të kryejnë transaksione parash në çdo kohë, gjithashtu kemi sisteme të automatizuara në sektorin e transportit dhe atë rrugor.
Në këto kushte, vijoi ai, me fuqizimin e teknologjisë është e detyrueshme të flasim sot për mbrojtjen e hapësirës së sigurisë kibernetike që përfshin një numër të madh disiplinash që nga rritja e standardeve të punës e vijon me investimet teknologjike dhe me kapacitetet njerëzore.
Ai tha se, me ligjin e ri të sigurisë kibernetike Shqipëria është një ndër 4 vendet në Europë që ka implementuar ligjin bazuar në direktivën më të fundit të BE për këtë fushë.
“Mbrojtja e sigurisë kibernetike do të zgjerohet edhe me mbrojtjen e qytetarëve, pasi me mbrojtjen e strukturave kritike do të thotë mbrojtje edhe tek vetë qytetarët që e përdorin çdo ditë teknologjinë” tha ai.
Tafaj foli për projektet e së ardhmes në forcimin e sigurisë kibernetike.
“Agjencia jonë ka një projekt të qartë për mbrojtjen e hapësirës kibernetike duke futur kategori të ndryshme . Ne kemi marrë nismën për nxitjen e gruas në sigurinë kibernetike, për kategoritë e njerëzve me aftësi të kufizuara apo ato vunerabël”, tha ai.
Panelet e konferencës trajtuan një sërë temash kyçe për forcimin e sigurisë kibernetike. Diskutimet u fokusuan në mbrojtjen e infrastrukturave kritike, përmirësimin e sigurisë në sektorët e energjisë dhe financave, si dhe në përmirësimin e teknologjive mbrojtëse. Një nga panelet u përqendrua në përfitimet e Shqipërisë nga implementimi i direktivës NIS2 dhe sfidat e zbatimit të saj, ndërsa një tjetër panel theksoi rëndësinë e ndarjes së informacionit mbi kërcënimet kibernetike me partnerët rajonalë për një qasje të koordinuar dhe të unifikuar në rajonin e Ballkanit.
Konferenca trajtoi gjithashtu nevojën për bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e koordinimit me partnerët rajonalë dhe globalë për të përballuar sfidat e përbashkëta në fushën e sigurisë kibernetike.
“Ne ndajmë informacion mbi kërcënimet kibernetike me vendet e Ballkanit, duke synuar një qasje të integruar për të forcuar sigurinë rajonale”, u shpreh Tafa, duke vënë në dukje rolin e Shqipërisë si një aktor aktiv në rritjen e sigurisë digjitale në rajon.
Diskutimet përfshinë gjithashtu temat e përgatitjes së brezave të rinj për sfidat e sigurisë kibernetike dhe përfshirjen e grupeve të margjinalizuara në këtë fushë.
Tafa nënvizoi se identifikimi dhe përkrahja e talenteve të reja, përmes bashkëpunimit me universitetet dhe programeve profesionale, janë thelbësore për adresimin e boshllëqeve në tregun e punës dhe për krijimin e një gjenerate të re ekspertësh në sigurinë kibernetike. “Ne duhet të përgatisim të gjithë qytetarët tanë, që nga të rinjtë e deri te komunitetet e margjinalizuara, për t’u përfshirë në mbrojtjen e hapësirës digjitale të vendit”, tha ai.
Konferenca u mbyll me një mesazh të qartë: Sigurimi i një të ardhmeje digjitale më të sigurt kërkon përpjekje të përbashkëta dhe investime të vazhdueshme në kapacitete teknologjike dhe njerëzore. AKSK riafirmoi përkushtimin e saj për të qenë një lider rajonal në mbrojtjen kibernetike, duke ndihmuar në ndërtimin e një ekosistemi më të fortë dhe më të sigurt për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit.