Shkup, 11 shtator – Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova sot priti ambasadoren e Japonisë, Secuko Kavahara e cila i dorëzoi një mesazh urimi nga Perandori japonez Naruhito me rastin e 8 shtatorit – Ditës së pavarësisë.
Silljanovska-Davkova, siç informon kabineti i saj e falënderoi për urimet e ngrohta, duke i vlerësuar ato si shprehje e miqësisë së qëndrueshme dhe respektit të ndërsjellë midis dy vendeve.
Ambasadorja informoi për pjesëmarrjen e suksesshme të vendit në Osaka EKSPO 2025 dhe shprehu kënaqësinë e saj për programin kulturor dhe artistik me të cilin u prezantuam para publikut japonez në Ditën e pavarësisë.
Bashkëbiseduesit ranë në ujdi se artistët e njohur të operës Ana dhe Igor Durllovski me orkestrën kamertale “Ajga”, kitaristi i xhazit Vlladimir Vasilevski – Çetkar, si dhe Kiril Xhajkovski dhe grupi i tij, prezantuan në mënyrë autentike kulturën, traditën dhe artin modern të vendit.

Bashkërisht është vlerësuar se pjesëmarrja e shkëlqyer e pavijonit të Maqedonisë në EKSPO 2025 është dëshmi e potencialit që kemi si destinacion turistik me një trashëgimi të pasur kulturore, historike dhe natyrore.