Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Michèle Taylor po zhvillon një vizitë në Shqipëri.
Taylor ndodhet në Tiranë për të diskutuar se si të avancojnë më së miri prioritetet e përbashkëta të drejtave të njeriut të SHBA-së dhe Shqipërisë.
“Partneriteti i fortë amerikano-shqiptar bazohet në angazhimin tonë të përbashkët për të drejtat e njeriut dhe demokracinë”, theksoi Taylor në një postim në platformën X.
Taylor zhvilloi një takim me Të Ngarkuarën me Punë të SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn me të cilën diskutoi për bashkëpunimin e fortë dypalësh të SHBA-së me Shqipërinë si dhe nënvizuan angazhimin e përbashkët për të drejtat e njeriut përmes institucioneve shumëpalëshe.
Ambasadorja Taylor gjithashtu pati një takim produktiv me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
“Diskutuam për forcimin e bashkëpunimit tonë dypalësh dhe avancimin e nismave për të drejtat e njeriut, përfshirë edhe gjatë anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut”, tha Taylor.
Ambasadorja Taylor zhvilloi gjithashtu një takim shumë konstruktiv me stafin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, të udhëhequr nga drejtoresha e Organizatave Ndërkombëtare, Adriana Hobdari.
“Duke pritur për një partneritet dhe bashkëpunim të fortë në të ardhmen me Shqipërinë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut. Së bashku, ne mund të avancojmë të drejtat e njeriut dhe të mbështesim drejtësinë globalisht”, theksoi Taylor.