Tetovë, 8 dhjetor – Pasi që disa vite me radhë qyteti i Tetovës nuk ishte zbukuruar për festat e fundvitit, këtë vit autoritetet e Komunës së Tetovës kanë vendosur që të zbukurojnë qytetin. Pritjet janë që atmosfera festive këtë vit të jetë në nivel në qytetin që disa vite me radhë ishte lënë në terr për festat në fund të vitit. Kjo vjen për shkak të shumë reagimeve të qytetarëve të Tetovës të cilët kishin kritikuar autoritetet e Komunës së Tetovës se nuk kishin bërë asnjë zbukurim për fundvit. Arsyetimi i Komunës së Tetovës në atë kohë ishte se qyteti nuk zbukurohej për shkak të mungesës së financave, raporton Koha.
Edhe pse nuk janë dhënë shumë detaje për mënyrën e zbukurimit, megjithatë konfirmimi për këtë ka ardhur nga Komuna e Tetovës. Sipas zëvendëskryetarit të Komunës së Tetovës, Albi Qamili, për momentin janë duke u grumbulluar ofertat dhe më pas do të shihet edhe mënyra e financimit. “Do të ketë zbukurim të qytetit për festat e fundvitit. Jemi duke mbledhur ofertat nga kompani të ndryshme, që më pas të shohin edhe mënyrën se si do të bëhet financimi i së njejtës”, deklaroi zëvendëskryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili.
Zbukurimi i qytetit të Tetovës për festat e fundvitit, krahas ringjalljes po ashtu pritet të ketë edhe përfitime ekonomike për bizneset e vogla që funksionojnë brenda në qytet dhe jo vetëm. Kjo, pasi që në atë periudhë kthehen edhe mërgimtarët në vendlindje, dhe kjo do të ketë impakt edhe në mbijetesën e bizneseve të vogla.