Kumanovë, 9 gusht – Rajoni i Kumanovës, si një ndër rajonet me territor ndër më të mëdhenjtë në RMV, çdo ditë e më shumë po ballafaqohet me aksidente nga më të ndryshmet, ku përfshihen si automjetet, poashtu edhe motoçikletat, por së fundmi problem më vete janë shtuar edhe monopedët, apo të njohur si trotinet. Ekipi ynë televiziv, vizitoi Qendrën e Ndihmës së Shpejtë në Kumanovë, nga ku u njoftuam se gjendja aktuale sa i përket aksidenteve mes mjeteve transportuese gjithnjë e më tepër po rritet, kjo si pasojë e numrit të madh të automjeteve, por edhe nga mos kujdesi nga ana e shoferëve, të cilët në të shumtën e rasteve nuk vozisin me kujdes, tejkalojnë shpejtësinë por edhe në momente të caktuara drejtojnë mjetin e tyre në gjendje të alkoolizuar.
“Gjendja aktuale në Qendrën e ndihmës së Shpejtë sa i përket aksidenteve është dukshëm në rritje, kjo zakonisht ndodhë gjatë sezonit veror, kryesisht në aksidente përfshihen më shumë automjetet dhe motoçikletat. Lëndimet janë nga më të ndryshmet, prej lëndimeve më të lehta me kontuzione, gërvishtje e deri tek lëndimet më të rënda, që përfundojnë me fraktura e me hemorragji por për fat të keq kemi edhe raste të cilat përfundojnë me fatalitet në vendin e ngjarjes”, – theksoi për TVM2, Dr Agon Imeri nga Qendra e Ndihmës së Shpejtë në Kumanovë.
Nga Qendra e Ndihmës së Shpejtë për programin tonë deklarojnë se si institucion shëndetësore, janë të përgatitur dhe të gatshëm në çdo kohë e moment të ju ofrojnë ndihmë qytetarëve.
“Ne si ekip i Ndihmës së Shpejtë jemi të përgatitur dhe në mënyrë profesionale mundohemi dhe ofrojmë ndihmën prej vendit të ngjarjes gjatë transportit e deri në pranimin e pacientit në Spital”, theksoi për TVM2, Dr Agon Imeri nga Qendra e Ndihmës së Shpejtë në Kumanovë.
Doktor, Agon Imeri, shrytëzoi rastin që tu apelojë qytetarëve, e sidomos vozitësve të mjeteve transportuese, qoftë automjete, por edhe motoçikleta e monopod, që gjatë drejtimit të tyre medoemos të respektojnë rregullat e trafikut si dhe të bartin mjetet mbrojtëse, siç janë rripi i sigurimit, si dhe helmetat mbrojtëse. E ata që janë nën ndikim të alkoolit asessi të mos kapin timonin.
“Andaj, si mjek apeloj që qytetarët të kenë kujdes të veçantë dhe ti ndejkin rekomandimet duke e vendosur rripin e sigurisë, të vozisin të vëmëndëshëm me shpejtësi të ngadalësuar, kurse ata që ngasin motoçikleta të bartin kaskën apo helmetën që është një nga mbrojtësit kryesorë. Gjithashtu edhe vozitësit në ndikim të alkoolit të mos ngasin mjetet e tyre transportuese, pasiqë rrezikojnë edhe veteen por edhe pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion”, theksoi për TVM2, Dr Agon Imeri nga Qendra e Ndihmës së Shpejtë në Kumanovë.
Ndryshe me ndryshimin e temperaturave, kohëve të fundit gjithnjë e më tepër janë shtuar edhe thirrjet për ndihmë mjekësore nga qytetarë të cilët më së shumti ankohen, apo të cilët vuajnë nga sëmundje të astmës, alergjitë e ndryshme, si dhe nga ata me sëmundje nervore e epilepsi.
Nga Qendra e Ndihmës së Shpejtë gjithashtu na njoftuan se numri i pacientëve që thirrin për ndihmë lëviz mbi 30 thirrje brenda 24 orëve.