Janë arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës dy persona të cilët nëpërmjet mashtrimit transferuan 11 milonë euro nga kompanitë guaskë jashtë vendit në Shqipëri.
Arlinda Markudhe dhe Darin Gezdari, u ndaluan pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar një skemë të mirëfilltë kriminale për transferimin e parave nëpërmjet transaksioneve bankare duke përdorur kompani guaskë në shtetet e parajsave fiskale si Qipro, Giblartar, Maltë, etj.
Këto para transferoheshin në shtetin shqiptar në shoqëri të krijuara në mënyrë fiktive, dhe më pas transferoheshin në shtetin kanadez, i gjithë ky aktivitet i dyshuar kriminal është kryer në funksion të pastrimit të produktit të veprës penale.
Nga hetimi i zhvilluar dhe provat e grumbulluara dyshohet se në këtë skemë mashtrimi janë të përfshirë shtetas të tjerë shqiptarë e të huaj të lidhur me këtë aktivitet kriminal për të cilët po punohet për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të tyre.