Shkup, 5 qershor – Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup, ka lëshuar Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër tre personave të dyshuar se si bashkëpunëtorë kanë tentuar të kryejnë vepër penale – Vrasje nga neni 123, paragrafi 2, pika 3, nga neni 19 i Kodit penal.
Siç njoftoi sot Prokuroria, të dyshuarit, mes të cilëve dy vëllezër dhe i njohuri i tyre, me dashje kanë tentuar t’i marrin jetën një personi dhe kanë rrezikuar jetën e dy të tjerëve. Ata e kanë kryer krimin para një fitnesi në Çair, më 1 qershor në mbrëmje.
“Ngjarja ka filluar si një debat verbal në të cilin kanë shkëmbyer fyerje dhe sharje dhe ka vazhduar me një përleshje fizike dhe në një moment i dyshuari i parë ka nxjerrë një thikë dhe e ka goditur të dëmtuarin në gju, stomak dhe gjoks. Të plagosur kanë mbetur edhe dy të dëmtuarit e tjerë kur kanë tentuar t’i ndajnë dhe t’i ndihmojnë të plagosurit”, njoftuan nga Prokuroria.
Prokurori publik për tre të dyshuarit ka dorëzuar propozim për caktimin e paraburgimit te gjyqtari i procedurës paraprake.