Liderët e Armenisë dhe Azerbajxhanit pritet të nënshkruajnë një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, që mund t’i japë fund konfliktit të gjatë prej dekadash, raporton Radio Evropa e Lirë.
Kjo pritet të ndodhë më 8 gusht, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, kur presidenti amerikan, Donald Trump, të mirëpresë udhëheqësit e dy vendeve.
Kryeministri armen, Nikol Pashinian, dhe presidenti azerbajxhanas, Ilham Aliyev, do të nënshkruajnë gjithashtu marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për të “ndjekur së bashku mundësitë ekonomike, në mënyrë që të shfrytëzojmë plotësisht potencialin e rajonit të Kaukazit të Jugut”, tha Trump në platformën Truth Social më 7 gusht.
“Shumë liderë kanë provuar t’i japin fund luftës, pa sukses, deri më tani”, shkroi ai, duke shtuar se do të letë “një ceremoni zyrtare” për nënshkrimin e marrëveshjes së paqes.
Sipas zyrës së tij për media, Pashinian ndodhet tashmë në Uashington dhe më 7 gusht vizitoi Muzeun e Biblës.
Shërbimi për media më 6 gusht bëri të ditur se Pashiniani do të vizitonte Shtetet e Bashkuara, ku do të zhvillonte një takim dypalësh me Trumpin dhe një takim trepalësh me Trumpin dhe Aliyevin “për të promovuar paqen, prosperitetin dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon”.
Megjithatë, deri në postimet e Trumpit në rrjetet sociale më 7 gusht, nuk kishte deklarata përfundimtare nga asnjë prej tre qeverive nëse do të nënshkruhej një marrëveshje paqeje.
Marrëveshjet ekonomike mund të mundësojnë rihapjen e një korridori strategjik transporti në Kaukazin e Jugut, i cili ka qenë i mbyllur që nga fillimi i viteve ’90.
Sipas zyrtarëve amerikanë, që kanë folur për mediat në kushte anonimiteti, marrëveshjet do t’i jepnin Shteteve të Bashkuara të drejtën e qirasë për zhvillimin e korridorit të Zangezurit dhe do ta emërtonin atë “Rruga Trump për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar” (TRIPP).
Ky korridor do të lidhte Azerbajxhanin me rajonin e tij të Nakhçivanit, i cili është i ndarë nga pjesa tjetër e vendit, dhe do të përfshinte në të ardhmen një linjë hekurudhore, tubacione për naftë dhe gaz, si dhe linja me fibra optike, duke mundësuar qarkullimin e mallrave dhe më vonë edhe të njerëzve.
Marrëveshja nuk parashikon që Shtetet e Bashkuara të financojnë ndërtimin e korridorit të tranzitit, por u bën thirrje korporatave private ta zhvillojnë atë. Ajo u arrit pas një vizite të të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, në Baku më herët gjatë këtij viti dhe pas vazhdimit të bisedimeve mes palëve.
Përmirësimi i raporteve pas luftës
Armenia dhe Azerbajxhani kanë zhvilluar dy luftëra të mëdha për rajonin e njohur si Nagorno-Karabak që nga shpallja e pavarësisë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik më 1991.
Dy shtetet e Kaukazit Jugor kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve që nga konflikti i fundit i armatosur më 2020 dhe eksodi që pasoi i popullsisë etnike armene nga rajoni i kontestuar, të cilin zyrtarët në Jerevan tashmë e njohin si territor sovran të Azerbajxhanit.