Shkup, 20 qershor – Kostoja e jetesës po rritet me shpejtësi të madhe saqë qytetarët edhe po zihen në befasi. Jemi dëshmitarë se çmimet e shumë produkteve ushqimore janë rritur jashtëzakonisht shumë, edhe përkundër faktit që kishte disa masa për ngrirje të çmimeve, sërish gjendja e çmimeve mbetet shqetësim kryesor i qytetarëve. Si gjithmonë, më të prekurit do të jenë ata që deri tani kanë jetuar me të ardhura të ulëta, ose fare pa të ardhura që kanë qenë nën mëshirën e humanizmit. Temperaturat e larta të verës po vështirësojnë edhe më shumë përballjen e jetës së qytetarëve me çmimet e ngritura të produkteve bazë ushqimore. Në tregun e Bit Pazarit çmimet e disa produkteve ushqimore janë ulur mirëpo qytetarët e anketuar thonë që duhet të ulen edhe më shumë çmimet sepse në krahasim me standardin që e kanë janë tejet të larta, shkruan Zhurnal.
Çmimet duhet të ulen që të përballohen temperaturat e larta –
Në tregun e Bit Pazarit çmimet e disa produkteve ushqimore janë ulur mirëpo qytetarët e anketuar thonë që duhet të ulen edhe më shumë çmimet sepse në krahasim me standardin që e kanë janë tejet të larta
“Kanë filluar të ulen çmimet, por për standardin tonë janë shtrenjtë”. “Populli është i varfër, jo unë nuk jam i punësuar”. “Nuk janë shumë shtrenjtë çmimet por ne kemi të ardhura të pakta prandaj dhe nuk mund të kalojmë muajin si duhet, marrim vetëm produktet më elementare”.
“Qershiat, bizelja më shtrenjtë 80 den, 100 den, duhet të ulen për 20 përqind”. “ Sipas standardit duhet 50 përqind të ulen çmimet, me këtë dinamikë si është duke shkuar është rëndë, shumë është vështirë, mbi 50 mijë denarë duhet për katër anëtarë”.
“Çmimet janë ulur pak në treg megjithatë prap janë shtrenjtë” – thanë disa nga qytetarët e anketuar nga TVM2. Edhe tregëtarët ankohen se nuk kanë shitje si duhet, mëgjithëse kanë rënë çmimet e disa produkteve ushqimore. Thonë se duhet të marrin masa organet kompetente për varfërinë në vend.
“Çmimet kanë filluar të bien jashtë mase por populli pare nuk ka, buxheti është shumë i ulët, 40 den specat, domatet 30, qershiat kanë rënë 80 den. Pak duhet të mendojë Qeveria për këtë popull, ata presin të marrin pensionin kur të marrin të paguajnë rrymën, ujin, ilaçet, çka ju mbetet me ngrënë asgjë”.
“S’ka shitje se popullata 20-30 përqind është jashtë, pak dobët, por shpresojmë.” “Shumë dobët është, s’ka rëndësi se kanë rënë çmimet, nuk kanë para njërëzit, me një rrogë vjen hec dhe i merr më lirë ndokund.” – u shprehën disa nga shitësit në treg. Vlera e shportës minimale sindikale për muajin maj është 60.090 denarë. Kjo i bie se për një familje katër anëtarëshe duhen së paku 1.000 euro për ta kaluar muajin.
Çmimet e larta pagat e ulëta –
Diskrepanca në mes të çmimeve tejet të larta edhe për produkte elementare edhe për ato ndërtimore e për gjithçka tjetër dhe pagave të ulëta është e vështirë të menaxhohet. Ky dallim në paga dhe çmime krijon kaos në funksionimin e shtetit, nga ana tjetër rrit dëshpërimin dhe pesimizmin e qytetarëve që në këtë vend mund të bëhet jetë dinjitoze. Përderisa pagat e funksionarëve nuk dinë të ndalur dhe kanë arritur majat, jeta e qytetarëve sa shkon e vështirësohet më shumë.
Me fjalë të tjera pagat e funksionarëve kanë arritur në qiell përderisa në të njëjtën nën qiell jetojnë edhe qytetarët standardi i tyre ka rënë përtokë. Për funksionarët ka pasur rritje marramendëse dhe të hovshme të pagave prej 78%, e këtë ngritje shumë prej tyre e kanë mirëpritur duke ironizuar me atë se politikanët burimin e vetëm të të hollave i kanë pagat dhe në këtë formë ata mbijetojnë, sikurse qytetarët jetojnë në një botë paralele dhe nuk i shohin se si pasurohen politikanët.
Rritja e çmimeve, thonë nga Sindikata, po ashtu kontribuon në humbjen e fuqisë blerëse të punëtorëve dhe qytetarëve. Prandaj, me rritjen e pagës minimale në mars 22.567 denarë, për 70 mijë të punësuar ata thonë se nuk do të ketë efekt pozitiv në rritjen e standardit të jetesës së qytetarëve në vendin tonë. Lidhja e Sindikatave propozoi vazhdimin e masave për çmimet e garantuara deri në mesin e shatorit, datë e cila përkon me nisjen e plotë të zbatimit të Ligjit për ndalimin e tregtisë jo korrekte, në mënyrë që punëtorët dhe qytetarët të jenë të mbrojtur nga shtrenjtime e shumta të gjërave elementare ushqimore.
Kujtojmë që, rritja e pagave prej 78% për funksionarët shtetëror ishte veprimi më skandaloz që ka ndodhë dhe i papranueshëm për qytetarët, sepse me automatizëm është nënvlerësim i punëtorëve tjerë. Shërbyesit e popullit të quajtur në teori të paguhen me paga marramendëse e shumë të larta, shumëfish më të larta se pagat mesatare në vend, tregon qartazi se zyrtarët nuk e kanë hallin e qytetarëve, por se si të pasurohen më shpejt e më shumë. /Zhurnal.mk