Shkup, 23 dhjetor – Nënshkrimi i marrëveshjeve kolektive me universitetet shqiptare shënon një moment që shkon përtej një akti administrativ apo formal. Me këtë akt hedhet poshtë një alibi e vjetër politike, sipas së cilës pengesat ligjore, procedurale apo institucionale paskëshin qenë arsyeja pse universitetet shqiptare mbetën për vite me radhë jashtë trajtimit të barabartë. Sot, kjo narrativë bie me VLEN-in në pushtet, shkruan Zhurnal.
VLEN po tenton të rikthejë dinjitetin e universiteteve shqiptare –
Universitetet shqiptare nuk u lanë jashtë pa arsye ato u përjashtuan në mënyrë sistematike, u shtynë nga një afat në tjetrin dhe u trajtuan si barrë politike, jo si institucione kyçe të zhvillimit shoqëror. Sa herë që barazia rrezikonte të cenonte ekuilibrat e brendshëm partiakë apo kalkulimet afatshkurtra të pushtetit, arsimi i lartë në gjuhën shqipe kthehej në temë dytësore dhe jo shumë të rëndësishme. Protestat e profesorëve dhe stafit akademik nuk ishin “shfaqje teatrale”, por pasojë e një padrejtësie të akumuluar ndër vite.
Veçanërisht domethënëse është periudha kur Talat Xhaferi mbante përgjegjësi të larta institucionale, si kryetar i Kuvendit. Në vend që kjo situatë të shërbente për korrigjimin e diskriminimit, ajo u përdor për ta relativizuar dhe normalizuar atë. Padrejtësia u justifikua si “realitet institucional”, duke u shndërruar nga problem në normë. Ky fakt është i dokumentuar dhe nuk mund të fshihet me retorikë politike apo harresë të qëllimshme.
Prandaj, nënshkrimi i marrëveshjes kolektive nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në ditën e përvjetorit të Universitetit të Tetovës, si dhe me Universitetin “Nënë Tereza”, ka një simbolikë të fuqishme politike dhe shoqërore. Ai shënon fundin e një qasjeje përjashtuese dhe rrëzimin e një politike që për vite u ndërtua mbi zvarritje, selektivitet dhe trajtim të pabarabartë. Ky akt dëshmon se ajo që për dekada u paraqit si e pamundur, ishte në fakt plotësisht e realizueshme.
BDI pati edhe kohë edhe pushtet, por pati edhe kontroll mbi institucione kyçe. Ajo që mungoi ishte vullneti për ta trajtuar arsimin e lartë shqiptar si prioritet real dhe jo si monedhë pazari politik. Sot, kur realiteti ka ndryshuar bëhet e qartë se përgjegjësia për vonesat dhe padrejtësitë bie mbi politikat që ka aplikuar BDI dhe jo mbi rrethanat politike të asaj kohe.
Politikat e dështuara nuk rehabilitohen me kongrese formale dhe retorikë boshe. Prandaj edhe pyetja që shtrojnë sot aktivistët e vetë BDI-së është legjitime dhe e pashmangshme ku është reforma? Pa përballje të sinqertë me të kaluarën dhe pa ndryshim real të qasjes, çdo premtim i ri mbetet vetëm një përpjekje për të mbuluar një dështim të gjatë politik.
Kujtojmë që, ndryshimi i pushtetit dalëngadalë po sjellë sinjale të ndryshimit kolektiv gjithandej, derisa ndryshimi të ndjehet në çdo sektor e çdo fushë. Ndryshime në arsim, shëndetësi e bujqësi, ndihmojnë në ringjalljen e sektorit publik dhe atij privat për një jetë më të mirë për të gjithë./Zhurnal.mk