Shkup, 26 gusht – Një përplasje e fortë politike ka shpërthyer mes Aleancës për Shqiptarët dhe partisë në pushtet, VMRO-DPMNE, pas akuzave të rënda të hedhura nga Gadaf Uzairi, Sekretari Organizativ i Aleancës për Shqiptarët.
Në një postim të publikuar në rrjetet sociale dhe më pas të transmetuar nga Top24, Uzairi ka deklaruar se Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë një takimi me përfaqësues ndërkombëtarë, ka bërë një deklaratë alarmante: “Lufta e 2001 ishte pjesa e parë, tash ka ardhur koha ta luaj unë pjesën e dytë.”
Sipas Uzairit, këtë informacion ia ka dhënë një ish-anëtar i Aleancës, aktualisht funksionar i lartë i qeverisë përmes koalicionit VLEN. Ai e cilëson këtë deklaratë si një paralajmërim të rrezikshëm dhe akuzon përfaqësuesit shqiptarë të VLEN-it se, ndonëse e dinë këtë, po qëndrojnë në një qeveri që ai e konsideron hapur anti-shqiptare.
“Ju bëj thirrje të reflektoni sa nuk është vonë, sepse ka jetë edhe pas Tetorit! Përgjegjësia e tradhtisë nuk harrohet kurrë!”, shkruan Uzairi.
Reagimi i ashpër nga VMRO-DPMNE: “Gënjeshtra dhe manipulime”
VMRO-DPMNE ka reaguar me tone të ashpra, duke e cilësuar deklaratën e Uzairit si një gënjeshtër të paturpshme. Në reagimin e partisë thuhet se Uzairi dhe kreu i tij, Arben Taravari, nuk kanë as ide dhe as program, por vetëm “tentativa për të mbuluar pafuqinë politike me shpifje dhe konstruksione.”
Ata theksojnë se Taravari ka deklaruar publikisht se është në politikë vetëm për përfitime personale dhe se nuk i intereson menaxhimi i Gostivarit.
“Në vend që Uzairi të shpikë deklarata të rreme, le të përballet me të vërtetën: partia e tij është kapur në afera, tenderë dhe interesa personale. Këta njerëz janë kukulla në prehrin e BDI-së dhe shantazhohen nga marrëveshje të errëta që i dëmtojnë shqiptarët e ndershëm.”
Më tej, reagimi i VMRO-DPMNE-së përmend edhe afera të supozuara për Taravarin, përfshirë një shtëpi në lagjen Taftalixhe dhe marrëveshje të dyshimta me parkingje, duke lënë të kuptohet se “pjesa më e madhe e të vërtetave ende nuk është zbuluar”.
“Taravari dhe kompania nuk punojnë për qytetarët, por vetëm për llogari dhe përfitime personale, ndaj edhe ndërrojnë parti si këmisha.”, përfundon reagimi.