Valbon Limani zyrtarizon kandidaturën për Gostivarin: Fushatë derë më derë dhe fitore bindëse më 11 janar

nga Xh M

Gostivar, 10 dhjetor – Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Valbon Limani, ka dorëzuar zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar të Komunës së Gostivarit për zgjedhjet e përsëritura që do të mbahen më 11 janar 2026. Pas dorëzimit të dokumenteve, Limani deklaroi se pret zgjedhje të ndershme, fer dhe demokratike, ku – siç tha ai – qytetarët do ta shprehin lirshëm vullnetin e tyre politik.

Limani njoftoi se kjo fushatë do të jetë më ndryshe nga herët tjera: pa tubime të mëdha, duke u fokusuar tek komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët, në terren. I pyetur për faktin se koalicioni VLEN ende nuk ka vendosur emrin e kandidatit të tyre për Gostivarin, ai uroi që koalicioni të arrijë të tejkalojë dallimet e brendshme dhe të marrë vendimin sa më shpejt.

I sigurt në rezultat, Limani u shpreh i bindur se përsëritja e zgjedhjeve do të sjellë të njëjtin epilog – një fitore bindëse për të dhe koalicionin që përfaqëson.

Në raundin e parë të zgjedhjeve më 19 tetor, ai siguroi epërsi të dukshme ndaj kundërkandidatëve, por procesi u shpall i pasuksesshëm për shkak të mosarritjes së censusit. Deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, komuna drejtohet nga një ushtrues detyre i besuar nga Qeveria.

Ndërkohë, afati për dorëzimin e kandidaturave përfundon të enjten në mesnatë, dhe ende mbetet e paqartë se me cilin kandidat do të garojë VLEN në Gostivar.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More