Kryeministri Edi Rama komentoi sot vendimin e gjykatës për sekuestron preventive në bazën detare të Sarandës, një vendim që sipas tij cënon pavarësinë e pushtetit ekzekutiv.
Në konferencën e fundvitit me gazetarët, Rama e konsideroi këtë vendim një skandal të madh.
“Është një skandal i përmasave të paperceptueshme. Është ndërhyrja më brutale në pavarësinë e pushtetit ekzekutiv. Kushtetuta e thotë se ka 3 pushtete të pavarura nga njëri- tjetri. Drejtësia është e pavarur nga pushteti ekzekutiv dhe ka një sërë detyrash të vetat që nuk mund t’i bëjë pushteti ekzekutiv, por edhe pushteti ekzekutiv është i pavarur nga drejtësia në të drejtën për të vendosur”, tha Rama.
Kryeministri kujtoi se e drejta për të vendosur është njëkohësisht edhe detyrim për të marrë vendime dhe buron nga mandati i popullit.
“Këtu vijmë tek pavarësia e parlamentit nga pushteti gjyqësor. Është pushtet tjetër ai, nuk i thotë dot asnjë lloj shkalle parlamentit si duhet të ngrejë dorë sepse i hyjnë në pavarësinë e vet. Nuk i thotë dot qeverisë asnjë lloj niveli i pushtetit gjyqësor se si duhet të vendosë për bazën e ashtuquajtur, pasi cenimi i sigurisë kombëtare është histori më vete”, tha Rama.
Kryeministri e konsideroi situatën një farse të rëndë që bëhet, sipas tij, “me një element kyç të programit të qeverisë që është programi elektoral”.
Rama tha se porti turistik i Sarandës është premtuar në programin elektaral të PS-së dhe ky projekt do të sjellë më tepër të ardhura për Ministrinë e Mbrojtjes.
“Nuk e ndalon dot një përfaqësues të pushtetit tjetër qeverinë të zbatojë programin për të cilin ka marrë votat në programin elektoral. Unë kam premtuar portin turistik. Nuk është privatizuar as nuk është dhënë me koncension por është dhënë me qera. Ajo pjesë është pronë e ushtrisë dhe sot, edhe nesër edhe kur të mbarojë investimi. Madje ushtria nga ai investim do të marri më shumë se sa ka sot”, shtoi Rama.
Sipas Ramës, “forca e verbër e ka bllokuar një investim që do të fuste në ekonomi 300 milionë euro”.
“Nëse siguria jonë kombëtare varet nga ai limioni aty unë i pari bashkë me ju kapim avionin e parë e ikim se jemi të pushtuar. Është realisht një skandal shumë i madh por forca e verbër e ka bllokuar një investim që do të fuste në ekonomi 300 milionë euro dhe do të rriste numrin e turistëve të nivelit të lartë. Do të bënte që ato varka e jahte që parkojnë në Mal të Zi, Greqi, Kroaci dhe ku bashkitë e shtetet marrin gjithë ato të ardhura të vijnë në një pjesë edhe në Shqipëri”, tha Rama.
“Këtë ka bërë kjo përçartje. Kjo është futje hundësh dhe duarsh në të drejtën e pushtetit ekzekutiv për të marrë vendime. Ai që ka detyrën të ndjekë mënyrën se si zbatohen vendimet dhe nëse ka korrupsion në zbatimin e tyre apo shkelje flagrante të ligjit nuk mund të jetë në pushtetin ekzekutiv. Por kush ka të drejtën të bëjë reforma e marri vendime nuk mund të ndalohet nga pushteti gjyqësor. Është vota që vendos se përndryshe i bie të shkojmë të pyesim në pushtetin gjyqësor nëse duhet ta marrim këtë vendim apo jo”, shtoi Rama.
Ky vendim, sipas tij, “tregon që ka shumë mangësi në këtë fazë ku po ndërtohet një sistem i ri drejtësie”.
“Kjo është një nga rastet, shembulli më ulëritës i çfarë mund të ndodhi kur abuzohet me forcën e një pushteti duke hyrë komplet në territorin e një pushteti tjetër”, tha Rama.