Kryeministri në detyrë Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe zëvendësministrja në detyrë, Daulina Osmani, dhe bashkë me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, vendosën gurthemelin e pishinës gjysmë-olimpike, në këtë komunë.
Pishina gjysmë-olimpike ka një vlerë investimi afër katër milionë euro, prej të cilave afër tre milionë e gjysmë euro janë investim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kurse pjesa tjetër investim i Komunës së Podujevës.
“Sipërfaqja e gjithmbarshme e ndërtimit do të jetë 4556 metra katrorë. Hapësirat përfshijnë përdhesen, katin e parë dhe podrumin. Në kuadër të këtij projekti parashihet ndërtimi i një pishine për not profesional dhe garues, një tjetër për fëmijë dhe hapësira tjera përcjellëse për rekreacion dhe gastronomi”, thuhet në njoftim.
