Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu ka zhvilluar një vizitë të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u takua me figura të larta të administratës amerikane dhe përfaqësues të NATO-s. Gjatë vizitës, u diskutua për forcimin e bashkëpunimit të mëtejshëm në fushën e mbrojtjes, avancimin e modernizimit të kapaciteteve të Forcave të Armatosura Shqiptare, dhe angazhimin e Shqipërisë në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe global.
Në ditën e parë të vizitës, ministri Vengu pati një bisedë shumë pozitive me Nënsekretaren e Mbrojtjes për Politikat, znj. Amanda Dory. Siguria dhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes mes SHBA-ve dhe Shqipërisë në funksion të agjendës së NATO-s, ishin pjesë e diskutimit me znj. Dory.
Gjatë këtij takimi Ministri i Mbrojtjes vuri në dukje faktin që Qeveria shqiptare po dedikon buxhetin më të konsiderueshëm të dy dekadave të fundit për Mbrojtjen dhe sigurinë, duke theksuar njëherësh rëndësinë për bashkërendimin e veprimeve me aleatin strategjik për modernizimin, zhvillimin e kapaciteteve, misionet, mbrojtjen kibernetike dhe dinamikat e sigurisë ne rajonin e Ballkanit.
Po ashtu gjatë këtij takimi Ministri Vengu dhe Nënsekretarja e Mbrojtjes për Politikat, znj. Dory biseduan për financimin e huaj ushtarak nga pala amerikane, për një modernizim gjithëpërfshirës të kapaciteteve të Mbrojtjes të Forcave tona të Armatosura, duke e ndërlidhur dhe me prioritetin e qeverisë shqiptare për rijetëzimin e industries ushtarake.