Prezantimi i pr.buxhetit në Konferencën e Kryetarëve, opozita kërkon edhe paketën fiskale

nga D. V.

Konferenca e Kryetarëve në Kuvend u mblodh sot ku në rendin e ditës është edhe paraqitja e projektbuxhetit për vitin 2026 nga ministri i Financave, Petrit Malaj.

Që në nisje të mbledhjes, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku u shpreh se, projektbuxheti ka ardhur në Kuvend ditën e sotme pa paketën fiskale.

Ministri i Financave, Petrit Malaj shpjegoi se paketa fiskale ishte ende për diskutim me grupet e interesit dhe do të ishte në Kuvend brenda javës së ardhshme sipas procedurës.

“Paketa fiskale aktualisht është në konsultim me grupet e interesit dhe kryesisht me faktorin ndërkombëtar duke qenë se ne jemi duke bërë dhe një përafrim të legjislacionit tonë tatimor dhe doganor me direktivat e BE-së dhe në  këto kushte jemi të detyruar që këtë paketë fiskale ta konsultojmë dhe me ta përpara sesa ta sjellim në parlament për miratim, paketë e cila do të vijë gjatë javës së ardhshme këtu për tu diskutuar”, tha Malaj.

“Nuk presim ndryshime në paketën fiskale, por për procedurë do duhet t’ua përcjellim edhe atyre në mënyrë që të marrim një dritë jeshile për ndryshimet që kemi propozuar”, tha Malaj.

Pas këtij diskutimi, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi iu drejtua deputetëve të opozitës duke thënë se pretendimi i tyre lidhet me kalendarin e posaçëm.

“Prezantimi i projektbuxhetit nuk pengohet nga kalendari. Mbarojmë prezantimin dhe pastaj kur të shkojmë të kalendari diskutojmë nëse jemi gati. Nuk na pengon rregullorja, përkundrazi.”, shpjegoi Peleshi lidhur me këtë pikë diskutimi.

Por, Tabaku këmbënguli në kërkesën e saj duke cituar nenin 78, ku u shpreh ajo, thuhet se, “kryetari i Kuvendit lajmëron menjëherë Kuvendin për projektbuxhetin dhe për projektligjet e lidhura drejtpërdrejt me të. Pikërisht projektligjet financiare që kanë lidhje me të. I referohet me çdo rast jo vetëm buxhetit të shtetit”.

“Kjo është një procedurë e veçantë, sepse është ligji më i rëndësishëm që sjell këtu qeveria. Tani ju doni të kaloni buxhetin me disa projektligje që do i shohim pasi të miratojmë buxhetin. Nuk ka buxhet pa paketë fiskale, nuk ka buxhet pa paketë fiskale. Nuk ka nevojë të jesh ekonomist për ta kuptuar këtë”, tha Tabaku.

Më pas, kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla tha se “sot jemi mbledhur vetëm për kalendarin e prezantimit të buxhetit” duke kërkuar vijimin e mbledhjes.

Më pas mbledhja vijoi me prezantimin e pr/buxhetit nga ministri Malaj.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More