Mbrëmjen e 29 nëntorit, Policia e Kosovës tha se një shpërthim në një fshat të komunës së Zubin Potokut në veriun e banuar me shumicë serbe, dëmtoi kanalin e furnizimit me ujë nga liqeni i Ujmanit, që u shërben disa qyteteve dhe termocentraleve të vendit, që janë prodhuesi kryesor i energjisë elektrike.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e cilësoi sulmin akt kriminal dhe terrorist, që synonte dëmtimin e infrastrukturës thelbësore të vendit.
“Sulmi është kryer nga profesionistë, është sulm i radhës kriminal e terrorist që ne besojmë që vjen nga bandat e dirigjuara e të orkestruara nga Serbia e cila e ka edhe interesin edhe gatishmërinë edhe aftësinë për të shkaktuar sulme e dëmtime të tilla, në rastin konkret duke përdorur një sasi të madhe të eksplozivit në një nyje kyçe ku riparimi është i vështirë”, tha ai.
Shpërthimi u dënua nga Shtetet e Bashkuara.
“Ne e dënojmë fuqishëm këtë sulm të tmerrshëm ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës, që rrezikon vendin, furnizimin me energji elektrike, që rrezikon ngrohjen dhe furnizimin me ujë të pijshëm”, tha ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.
Bashkimi Evropian e cilësoi shpërthimin një akt terrorist dhe bëri thirrje pwr vënien e autorëve para drejtësisë. Beogradi mohoi të jetë përfshirë.
“Si shtet serioz, ne nuk ishim të përfshirë në akuza. Nuk kemi thënë dhe nuk do ta them as sot se (kryeministri i Kosovës Albin) Kurti ka urdhëruar drejtpërdrejt sulmin. Hetimi do të tregojë. Sepse ne jemi duke kryer hetimin tonë, natyrisht. Kemi dyshime të caktuara, por hetimet më në fund do të tregojnë se kush e ka porositur. Besojmë se kemi disa njohuri edhe se kush mund të jetë autori”, tha Presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Dhjetë pjesëtarë të komunitetit serb u arrestuan, dy nga të cilët u dërguan në paraburgim në kuadër të hetimeve rreth shpërthimit. Policia e cila shtoi masat e sigurisë gjithandej vendit tha se gjeti dhe konfiskoi armë e municione gjatë bastisjeve në zonën përreth shpërthimit.
Vitit 2024 filloi dhe u mbyll me tensione në veri dhe rrjedhimisht me tensione ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe mospajtime ndërmjet qeverisë në Prishtinë me aleatët e saj perëndimorë.
Në muajin shkurt hyri në fuqi një vendim i Bankës Qendrore të Kosovës sipas të cilit, euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para në dorë në Kosovë. Vendimi ngriti shqetësimin e qytetarëve serbë që i marrin pagat dhe pensionet nga Serbia në dinarë serbë. Beogradi reagoi me zemërim…
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se rregullorja e Bankës Qendrore nuk e ndalon Serbinë të ndihmojë financiarisht qytetarët e komunitetit serb në Kosovë dhe sipas tij, çdo pohim i të kundërtës është propagandë e rreme që synon krijimin e tensioneve etnike. Në një videomesazh në gjuhën serbe, ai tha se Kosova nuk e ka ndaluar dinarin serb, por futjen e tij me thasë përmes kufirit.
“Deri tani, mënyra e futjes dhe transportit të parave përtej kufijve u mundësonte grupeve kriminale të merrnin para të importuara ilegalisht, duke forcuar kështu ndikimin e tyre mbi popullin, frikësuar masat dhe duke inkurajuar kriminelët nga kreu i shtetit serb”, tha kryeministri Kurti.
Shtetet e Bashkuara kërkuan shtyrjen e zbatimit tw vendimit, ndërsa theksuan se mungesa e bashkërendimit ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.
“Më duhet të them se aktualisht kemi problem komunikimi me kryeministrin (Albin Kurti) dhe ky nuk është problem vetëm i Shteteve të Bashkuara. Mendoj se është problem në komunikim që Kosova ka me Bashkimin Evropian, me NATO-n, me Britaninë e Madhe, me Shtetet e Bashkuara dhe shumë partnerë të tjerë, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk e vunë në pikëpyetje të drejtën e Kosovës për të përcaktuar mënyrën e pagesave, por kërkuan një zgjidhje të bashkërenduar në kuadër të bisedimeve në Bruksel. Por, një seri bisedimesh teknike të ndërmjetësuara nga BE-ja, nuk siguruan një pajtim mes palëve rreth kësaj çështjeje.