Shkup, 6 Qershor – Kryetari i Komunës së Çairit dhe anëtar i ekipit punues për negociatat për qeverinë e re nga koalicioni “Vlen”, Visar Ganiu sot vetëm konfirmoi se Sekretariati për çëshje evropiane shndërrohet në Ministri për çështje evropiane. Ai theksoi se negociatat kanë kaluar në atmosferë të shkëlqyeshme punuese.
“Mund të konstatoj dhe konfirmoj se negociatat kaluan në atmosferë të të shkëlqyer punuese. Kemi pasur ditë të lodhshme, pasi për gjithçka që duhej të diskutojmë, diskutuam dhe në tryezë ishin të gjitha argumentet. Përfunduam një cikël që është i rëndësishëm për ne. Në këtë moment mund të konfirmoj se SÇE shndërrohet dhe kalon në Ministri”, tha kryetari në fillimin e ndërtimit të pishinës së mbyllur shkollore në Çair.
Ganiu theksoi se mbeten në atë se që në fillim të negociatave kanë thënë se ata si ekip negociator do të mbajnë konferencë për shtyp dhe do të njoftohet opinioni si janë sistemuar vendet e drejtorëve në qeverinë e ardhshme.
Në pyetjen nëse do t’i takojnë koalicionit “Vlen” vendet e drejtorëve në Postat e Maqedonisë, MEPSO, Drejtorinë për investime të huaja, Fondi për sigurim shëndetësor dhe Drejtorinë për zbulim financiar, Ganiu përsëriti se në këtë moment nuk mund të ndajë, pasi, siç tha, kjo do të ishte jokorrekte ndaj kolegëve të tij.
Mirëpo nga burime të VLEN Zhurnal mëson se marrëveshja për bashkëqeverisjes është afër finalizimit. Kur kanë mbetur detaje të vogla për t’u definuar, si çështje e vetme e madhe e mbetur është nëse VLEN-it do t’i takon drejtoria e doganave, ose “Rrugët e Maqedonisë”.
“Më të mëdha janë gjasat të marim ndërmarrjen ‘Rrugët e Maqedonisë’ se Doganat, ku me siguri do të kemi zëvendës drejtorin”, thonë nga VLEN për Zhurnal.
Ndërkohë numërojnë edhe Drejtorinë e Inteligjencës Financiare, Rezervat Shtetërore, Librat Amë, dhe një sërë drejtori të tjera do të udhëhiqen nga kuadro të VLEN-it.
Ndërkohë sipas informacioneve që ka vërtetuar tashmë ALSAT, në Qeverinë e re koalicionit VLEN do të ketë 6 ministri, Shëndetësia, Ministria e Ekonomisë dhe Punës, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Ministria e Ekologjisë, Ministria për Integrime Evropiane dhe Ministria për Qeverisje të Mirë. VLEN do të ketë edhe zëvendëskryeministrin e parë, që njëkohësisht do të jetë edhe ministër i Ekologjisë. VLEN gjithashtu do të përfaqësohet në ekzekutiv edhe me 7 zëvendësministra edhe atë në Ministrinë e Mbrojtjes, Punëve të Brendshme, Arsimit, Transportit, Bashkësitë Etnike dhe zëvendës ministër të Bujqësisë apo të Punëve të Jashtme. Ky koalicion do të ketë edhe sekretarë shtetërorë në dikasteret që drejtohen nga koalicioni Vlen dhe rreth 400 drejtorë dhe udhëheqës institucionesh. /Zhurnal