Gjykata e Tiranës ka vendosur që të kalojë për gjykim çështjen në ngarkim të të miturit Mario Përlleshaj, i cili akuzohet për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij Martin Cani, pranë shkollës Fan Noli. Ishte gjyqtarja Migena Laska e cila pranoi kërkesën e prokurorisë për gjykim të dosjes penale.
Avokati i familjes Cani, pas përfundimit të seancës, tha se tashmë do të ballafaqohen me faktet dhe rrethanat, ndërsa shprehu rezerva per hetimet e kryera nga policia.
Vendimi për të kaluar dosjen për gjykim u mirëprit nga nëna e 14-vjeçarit të ndjerë.
I pranishëm në sallën e gjyqit ishte dhe shoku i Martin Canit, i cili mbeti i plagosur.
Në seancën e gjyqit e pranishme ishte edhe psikologia Lindita Hoxha, e cila tha se është dakord që të vijojë gjykimi i zakonshëm për shqyrtim me të detajuar të çështjes në themel.
14-vjeçari Mario Përlleshaj do të gjykohet për veprën penale vrasje në rrethana cilësuese ndaj dy ose më shumë personave. Gjykata rrëzoi kërkesën për gjykim të shkurtuar të bërë nga 14-vjeçari.