Vrasje gjithandej në lagjet shqiptare – padrejtësia nga shteti i lejon që qytetarët vet të bëjnë ligjin!

nga Redaksia

Shkup, 19 qershor – Nëse lexon biltenet e kronikës së zezë thuajse nuk ka ditë që nuk dëgjon që s’ka ndodhur ndonjë përplasje në lagjet dhe qytetet ku jetojnë shqiptarët. Ditë më parë kishte sulme me thika, ndërsa shpeshherë dëgjon se si ka pasur të shtëna me armë, plagosje, vrasje dhe lloj-lloj skenari”, shkruan “Zhurnal.mk”.

Kjo dukuri e zymtë për shoqërinë tonë të bën të mendosh se në çafër rrethanash po jetojmë, pse ndodh një gjë e tillë dhe cila është zgjidhja. Nëse lexon rrjetet sociale, e shef se ekziston një urrejtje e madhe mes njerëzve, fyerje e fjalë të pista, që shfryjnë mllefin ndaj çdo veprimi të një qytetari. Në veçanti, zhgënjimi bëhet edhe më i madh, kur sheh se në lajmin “therren me thika në Çair”, lexon komente nga më të ndryshimet, si të llojit “le të vriten të gjithë shqiptarët sepse ata ndryshe nuk marrin vesht”, ose “mirë e kanë”, “s’janë njerëz të kulturuar, njohin vetëm gjuhën e dhunës” etj.

Këto rrethana të çojnë të mendosh se çfarë po ndodh me shoqërinë shqiptare! Thuajse nuk mbahet mend të dëgjosh se janë vrarë ose kanë shtënë me armë në ndonjë lagje maqedone, por gjithçka që është e keqe rrotullohet në vendbanimet shqiptare.

Komentet e lexuesve maqedonas, të bëjnë të mendojnë se a kanë ata me të ërtetë të drejtë në atë që e thonë! Shqiptarët zihen pa asnjë arsye serioze “pse më shef shtrembur”, “pse më zë parkingun”, “pse e bllokon rrugën”… Në dukje të parë, këto veprime janë banale, por sigurisht se kjo ka një aryse në qasjen e shtetit ndaj këtyre problematikave, shkruan “Zhurnal.mk”.

Në qytetet shqiptare, thuajse çdo punë bëhet “shkel e shko”, vetëm sa për “sy e faqe”. Mungesa e parkingjeve i detyron qytetarët të nervozohen e të kërkojnë t’i qërojën hesapet vetvetiu, njëjtë ndodhë edhe me rrugët e bllokuara, rrugët e ngushta dhe mosrespektimi i shenjave të trafikut. Ngjashëm është situata me ndarjen e pronave, më zënien e pronave publike dhe me ndërtimet pa leje. Të gjitha këto janë “shkëndija” të problemeve dhe përleshjeve kanë pasoja tragjike. Sigurisht se nuk mungon edhe krimi i oranizuar, fajdeja, droga, bixhozi e shumë dukuri të ngjashme, që i bëjnë njerëzit të zhyten në probleme të thella, që vijnë deri te vrasjet e përplasjet me armë.

Nëse analizohen të gjitha këto rrethana, del në pah se problemi kryesor është mosfunksionimi i shtetit në lagjet dhe qytetet shqiptare. A është e qëllimshme kjo formë, nuk mund të vërtetohet, por në momentin kur shteti nuk i zgjidh problemet ashtu siç e parasheh ligji, atëherë ligjin e bëjnë të fortit e lagjeve e qyteteve. Shqiptarët nuk duhet të jenë lakmitarë të së keqës, por duhet të insistojnë që të zgjedhurit e tyre të japin llogari për sigurinë e tyre, familjeve e fëmijëve të tyre, shkruan “Zhurnal.mk”.

Fatkeqësisht vrasje e krim të tillë nuk ka vetëm te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por e njëjta po ndodh edhe në Kosovë e Shqipëri. Kjo dukuri po jep një pasqyrë të errët në botë për shqiptarët, prandaj nevojitet urgjentisht që shtetet të ndërmarrin diçka për ta ndalur këtë “maskarallëk”.

Gjithashtu nevojitet edukim më i madh, sidomos tek të rinjtë që në moshat shkollore. Mësuesit, insitucionet qeveritare por edhe edukatorët fetarë, duhet së bashku të ngulitin në vetëdijen e fëmijëve se dhuna nuk është e mirë, dhe ky veprim vetëm se të çon në probleme shtesë. Duhet fëmijët mësojnë se kush ka përparësi në komunikacion, se nuk duhet të gënjejnë, nuk duhet të vjedhin, nuk duhet të zaptojnë pronën publike, nuk duhet të amrrin atë që nuk është e tyrja e nuk duhet të shajnë, fyejnë e të veprojnë keq. Në teori e nëpër libra gjithsesi janë të parapara të gjitha këto teori, por fatkeqësisht nuk kultivohen mjaftueshëm në shkollë. Edhe kur kërkohen të aplikohen masa ndëshkuese ndaj ndonjë fëmije që është i dhunshëm, menjëherë lajmërohet prindi, ose ndonjë figurë politike dhe mundohet ta mbrojë të keqën. Kjo formë menjëherë jep pasqyrë të keqe të fëmijët.

Andaj shteti duhet të krijojë strategji që dukuritë negative, t’i çrënjosë që në fëmijëri. Por, mbi të gjithë, duhet të vendos drejtësi, duke mos lejuar që secili të bëhet më i fortë se ligji. Padrejtësia sjellë pasoja të rënda, që fatkeqësisht po lahen me gjakun e të rinjve që po vriten e plagosen gjithandej nëpër rrugët e lagjet shqiptare, shkruan “Zhurnal.mk”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More