Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul tha sot se Berlini ishte i hapur për mundësinë e vënies në dispozicion të aseteve shtetërore ruse të ngrira në Gjermani – për fondin e dëmshpërblimit të luftës për Ukrainën, siç është propozuar nga Brukseli.
“Megjithatë, planet e Komisionit Evropian do të duhet të rishikohen, fillimisht”, tha Wadephul përpara takimit vjetor të Këshillit Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Vjenë.
“Ky është një territor ligjor i paeksploruar, por Berlini po ndjek qëllimin e qartë politik për t’i bërë këto asete të përdorshme – pasi Ukraina ka nevojë për mbështetje financiare”, shtoi ai.
Ministri gjerman tha se Berlini ishte në konsultime me të gjitha shtetet anëtare të BE-së me qëllimin për të arritur një rezultat të frytshëm në Këshillin Evropian përpara Krishtlindjeve.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shpreson që udhëheqësit e BE-së të bien dakord për përdorimin e aseteve të ngrira ruse – të mbajtura në bllok – për të ndihmuar Ukrainën gjatë samitit të ardhshëm të udhëheqësve – që do të zhvillohet nga 18-19 dhjetori.
Sipas zyrtarëve të BE-së, komisioni po kërkon të zhbllokojë fondet ruse të ngrira në Belgjikë, Gjermani dhe shtete të tjera anëtare – për t’i siguruar Kievit një kredi dëmshpërblimi deri në 210 miliardë euro.
Gjermania, deri më tani nuk ka njoftuar se sa para të bankës qendrore ruse mbahen në vend, por zbuloi se vlera totale e aseteve ruse të ngrira – për shkak të pushtimit të Ukrainës – ishte rreth 3,5 miliardë euro.
Asetet e bankës qendrore ruse – të menaxhuara nga institucioni financiar belg “Euroclear” vlerësohen në rreth 185 miliardë euro.