Negociatorët ukrainas po udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bisedime mbi përfundimin e luftës me Rusinë, tha sot presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Ekipi ynë do të jetë sot dhe nesër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Zelensky.
Sipas burimeve, është planifikuar një takim midis Kremlinit dhe përfaqësuesve të administratës Trump në Miami – për të diskutuar planin e paqes – që u rishikua së fundmi në Berlin nga Ukraina, fuqitë evropiane dhe SHBA-të.
Nuk pritet një takim midis përfaqësuesve nga SHBA-ja, Rusia dhe Ukraina.
“I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump do të takohen me Kirill Dmitriev, kryenegociatorin e presidentit Vladimir Putin, që pritet t’i bashkohet palës ruse”, thanë raportet.
Shtëpia e Bardhë nuk i ka konfirmuar ende bisedimet. Përfaqësuesit amerikanë, evropianë dhe ukrainas u takuan të dielën dhe të hënën në Berlin.
Zelensky, Witkoff dhe Kushner ishin të pranishëm, gjithashtu.
Në Miami, përfaqësuesit e SHBA-së do të informojnë palën ruse mbi progresin e negociatave dhe do të përpiqen të fitojnë mbështetjen e tyre për propozimin e përditësuar të paqes.
Sipas raporteve, negociatori kryesor ukrainas, Rustem Umerov pritet gjithashtu të mbërrijë në Miami në fund të javës, për të zhvilluar bisedime me Witkoff dhe Kushner.
Zelensky njoftoi se do të diskutohen garancitë e sigurisë për Ukrainën.
“Për ne, është me rëndësi themelore që kjo kërkesë të miratohet në Kongresin e SHBA-së, në mënyrë që të ketë të bëjë me garanci ligjërisht të detyrueshme”, tha ai.