Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka depozituar sot një padi në Gjykatën Kushtetuese, e cila është firmosur nga 37 deputetë të opozitës, kundër ligjit “Për Zonat e Mbrojtura”, duke e konsideruar atë një ligj që shërben vetëm për interesat e oligarkëve.
Zhupa tha se “sot praktikisht në Shqipëri nuk ka më zona të mbrojtura”.
“Ligji nuk mbron interesin publik dhe interesin e përgjithshëm të qytetarëve, por vetëm interesin e Edi Ramës dhe miqve të tij me anë të të cilëve garanton vota për zgjedhjet e ardhshme”, tha deputetja e PD.
Sipas Zhupës, ky ligj përbën një kërcënim për zona të rëndësishme si Laguna e Karavastasë dhe Butrinti, ku sipas saj mbrojtja ekziston vetëm në letër. Zhupa theksoi se disa nene të Kushtetutës shkelen me këtë ligj.
“Mbrojtja do të jetë vetëm në letër. Si mund të jetë në interesin publik ky ligj kur në vend të një lagune, liqeni, florës, faunës do ketë beton, pishina dhe vila të oligarkëve? Ne kemi paditur disa nene të Kushtetutës që shkelen me këtë ligj. Çdo pikë në hartë, do jetë si pika e vogël e Mirela Kumbaros. Janë 37 deputetë që kanë firmosur dhe janë bërë pjesë e kësaj padie. Ne do të dorëzojmë sot padinë. Padisë do t’i bashkohen dhe organizatat e shoqërisë civile”, u shpreh ajo.