Partia Demokratike së bashku me ekspertë të opozitës dhe me mbështetjen e Fondacionit të CDU gjermane “Konrad Adenauer”, prezantuan sot Programin e Qeverisjes 2025-2029 për Kulturën.
Kryetarja e Komisionit parlamentar për Kulturën Ina Zhupa në fjalën e saj prezantoi pikat e programit. Zhupa tha se me PD-në marrin fund koncesionet në trashëgiminë kulturore!
“Partia Demokratike garanton që do të marrë fund praktika e koncesioneve në trashëgiminë kulturore. Nuk ka më asnjë privat që do të vër duart në identitetin dhe historinë e shqiptarëve. Ne do ta mbrojmë historinë dhe identitetin me çdo kusht. Ne do të bëjmë gjithçka, që Butrinti po dhe çdo site tjetër i trashëgimisë kulturore, të zbatojë standardet më të larta të UNESCO-s”, tha Zhupa.
Zhupa theksoi se do të mbrojmë identitetin dhe lartësojmë historinë e shqiptarëve.
“Të gjitha fondacionet, të gjitha organizatat të kenë mundësi të japin donacione, të monitorojnë paratë e tyre, por asnjëra, asnjëherë, nuk mund të shtijë në dorë pasurinë kombëtare të qytetarëve shqiptar. Ne jemi krenar për historinë tonë, për identitetin tonë, dhe do të bëjmë gjithçka që ta lartësojmë dhe ta mbrojmë atë. Historia, identiteti dhe trashëgimia kulturore nuk do trajtohen si mall Tregtar, por si aset kombëtar për ta lartësuar dhe mbrojtur”, u shpreh Zhupa.