Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, reagoi sot pasi ministrja për Punët e Brendshme, Albana Koçiu tha se policia ka vepruar në përputhje me ligjin gjatë protestës së opozitës.
Gjatë fjalës në Kuvend, Zhupa i konsideroi si të pavërteta deklaratat e ministres. Deputetja tha se policia hodhi gaz lotsjellës të skaduar duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve.
“Duhet ta dini që kur shteti shqiptar përdor gaz lotsjellës të skaduar rrezikon shëndetin publik dhe është kundër konventave ndërkombëtare dhe ju e ne si parlamentarë duhet të jeni të shqetësuar në disproporcionin që merr Policia e Shtetit ndaj protestuesve paqësorë të opozitës, duhet të jeni shumë të shqetësuar kur rrezikoni të helmoni njerëz, kur godisni invalidë, kur çoni në qelitë e burgut minorenë sepse këto kanë të bëjnë për standardet që ne flasim për integrimin evropian”, tha ajo.
Zhupa shtoi se nuk ka procedurë më të rëndësishme për një Kuvend sesa të kujdeset për shëndetin e qytetarëve dhe për një të drejtë kushtetuese siç është protesta.
“Qytetarët atje kanë goditur një institucion i cili është institucioni më i korruptuar në vend si kryeministria, një institucion që është kriminal dhe i lidhur me krimin, një institucion që përfaqëson narkotrafikun dhe nuk kanë goditur policë atje ku me detyrimin tuaj i përdorët si terroristë kundër qytetarëve”, shtoi ajo.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, tha se ministrja mendon se do të trembë qytetarët që kërkojnë drejtësi dhe një qeverisje në shërbim të tyre, duke kriminalizuar policinë.
“Është më shumë se irrituese për çdo deputet të ndershëm, por e mirëkuptueshme për regjime kriminale si Shqipëria, që të konsiderosh krim të drejtën për të protestuar, dhe të konsiderosh arritje vjedhjen e kësaj qeverisë. Si çdo regjim në fund të tij, i vetmi mjet që i mbetet në dorë është dhuna. Zonja që foli këtu mendon se i tremb qytetarët të kërkojnë drejtësi edhe të kërkojnë një qeverisje në shërbim të tyre, duke kriminalizuar policinë. Unë e di që ajo nuk e drejton policinë e Shtetit, ajo është vënë për zjarrfikësit, postën, policia drejtohet nga një kryekriminel si Ilir Proda”, tha Bardhi.
Bardhi shtoi se “ajo duhet të japë llogari, se si ka mundësi që policia e drejtuar nga ky kryekriminel përdoret për të rrëmbyer biznesmenë, e jo më të mitur. Policë të Shtetit kanë rrëmbyer biznesmenë e thotë SPAK”.
Gjithashtu Bardhi u ndal edhe te mbyllja e hipotekës së Vlorës.
“Pse është mbyllur hipoteka e Vlorës, sepse policia nuk garanton dot institucionet publike. Krimi i organizuar çdo ditë në hipotekën e Vlorës ka detyruar drejtorin e përgjithshëm të zhvendosë stafin nga Vlora në Tiranë, sepse policia nuk i garanton dot në krye të detyrës funksionarët e këtij shteti. Pse nuk flet që po mbyllet hipoteka në Vlorë? Ka 3 vite që nuk mbyll dot 1 muaj një drejtor atje se nuk ushtron dot i lirë detyrën”, tha Bardhi.