Partia Demokratike e Kosovës ka bërë një koalicion me “Listën për Familjen” , raporton Ekonomia Online.
Kjo u bë e ditur në konferencën për media nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
“Sot kam kënaqësinë t’ju njoftoj që me z. Rrahmani dhe anëtarë të tjerë të listës Familja kemi bërë marrëveshje për koalicion dhe bashkëpunim para dhe paszgjedhor. Qëllimi i këtij koalicioni është që të bashkojmë forcat në funksion të asaj që të bëjmë progres dhe ta ndryshojmë gjendjen në vend, duke përfshirë ekonominë, drejtësinë, arsimin, shëndetësinë, emergjencat, sigurinë dhe, normalisht, duke pasur kujdes edhe për mirëqenien dhe familjen. Jam i bindur që ky është një koalicion i qëndrueshëm dhe se do të kemi sukses. Normalisht që do të kemi pjesëmarrje nga lista Familja në listën zgjedhore të PDK-së. Është vlerë e shtuar çdo kandidat për deputet që do të jetë në listën e përbashkët”, tha ai.
Eman Rrahmani e quajti Hamzën figurë unifikuese.
“Ne kemi diskutuar çështjen e zhvillimit, energjinë, aspektin social dhe familjen në përgjithësi dhe kemi arritur dakrodim të plotë me të gjitha pikat dhe jemi dakorduar dhe zotuar për një angazhim të përbashkët në ngritje të mirëqenies, familjes, të identitetit tonë por edhe punët që e presin vendin tonë. Me Hamzën kemi pas bashkëpunime të vazhdueshme, ndaj edhe si një figurë unifikuese dhe profesionale sidomos në fushën ekonomike, sot vendi ka nevojë që ne të bashkojmë forcat dhe të bëjmë rrugëtim politik të dinjitetshëm ku vlerat e përbashkëta t’i angazhojmë në punë të përbashkët dhe mirëqenie”, tha Rrahmani.
Hamza shtoi se deri me datë 30 të këtij muaji do të vendosin se si do të garojnë.
“Sa i përket bashkëpunimit, ne jemi të hapur gjithmonë duke parë interesat e PDK-së, por duke respektuar edhe kërkesat dhe interesat e subjekteve tjera politike. Do të thotë, ne kemi treguar se kemi bërë hapje, kemi prurje të reja. Sot e finalizuam edhe një marrëveshje me listën Familja, që është një vlerë e shtuar jo vetëm për PDK-në, por unë jam i bindur se do të jetë për Kosovën. Ne jemi gjithmonë të hapur që në rrugëtimin tonë të na bashkohen edhe të tjerë. Sa i përket mënyrës së garimit dhe se si do të jetë kjo, deri më datën 30 do të kemi kohë të mendojmë se cila do të jetë mënyra dhe forma më e mirë e garimit tonë të përbashkët”, tha kryetari Hamza në konference për media.