Rusia ka parë kopjen më të fundit të një draftplani amerikan për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe e vlerëson pozitivisht një pjesë të tij, por kërkon diskutime për pikat e tjera, deklaroi sot Kremlini.
Duke folur për një reporter të televizionit shtetëror rus, këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov, tha se drafti i ri kërkon një ”analizë vërtet serioze” dhe se ”Moska ende nuk e ka diskutuar atë me askënd”.
Plani nuk është bërë ende publik.
Presidenti amerikan Donald Trump tha dje se ky është një version i përsosur i një plani të mëparshëm me 28 pika, të cilin Kievi dhe vendet evropiane e kishin refuzuar, dhe se do të dërgojë zyrtarë për t’u takuar me të dyja palët me shpresën për ta finalizuar atë.
”Disa aspekte mund të shihen pozitivisht, por shumë të tjera kërkojnë diskutime të veçanta mes ekspertëve”, tha sot Ushakov.
Plani fillestar, i kritikuar gjerësisht në Evropë si i favorshëm ndaj Moskës, parashikonte që Ukraina të tërhiqej nga rajoni lindor i Donetskut dhe SHBA-ja të njihte de facto Donetskun, Krimenë dhe Luhanskun si territore ruse.
Më vonë Ukraina njoftoi se kishte arritur një marrëveshje me SHBA-në dhe se të dyja palët hoqën disa prej pikave me të cilat Kievi nuk ishte dakord, pas takimeve në Gjenevë.
Nuk dihet cilat pika janë hequr dhe cilat kanë mbetur ende, ndërsa dallimet mes qëndrimeve negociuese të Rusisë dhe Ukrainës mbeten të thella.
Ushakov theksoi se Rusia ka nevojë për diskutime serioze mbi dokumentin.
”Plani i paqes nuk është diskutuar ende në detaje me askënd”, tha ai.