Kompostimi është një proces që ul sasinë e mbetjeve, duke përmirësuar mjedisin dhe duke i shërbyer komunitetit pasi kthen në pleh organik mbetjet me prejardhje bimore dhe shtazore.
Qeveria shqiptare në bashkëpunim me qeverinë gjermane, që përmes Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (German Agency for International Cooperation- GIZ), ka mbështetur disa bashki në vend, mes tyre edhe bashkinë e Roskovecit për ndërtimin e fushave të kompostimit që mundësojnë trajtimin e mbetjeve të gjelbra të fermave, serrave dhe mbetjeve organike të familjeve.
Kryetarja e bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi u shpreh në një prononcim për mediet, se në fushën e kompostimit realizohet jo vetëm grumbullimi i kartonit dhe i letrës, por shitja e këtij produkti përmes një marrëveshjeje që i sjellë të ardhura më shumë kësaj bashkie.
“Ne realizojmë edhe grumbullimin e mbetjeve të gjelbërta, që në territorin e Roskovecit janë shtuar jo vetëm se është një zonë rurale dhe urbane, por edhe për faktin që kemi një shërbim të shtuar në sipërfaqet bujqësore. Gati 300 hektarë janë serra, ndaj përmes procesit të kompostimit të mbetjeve bimore ne arrijmë të prodhojmë pleh organik, të cilin sot e përdorim për nevojat e bashkisë, në gjelbërimin e sipërfaqeve të ndryshme edhe përmes një marrëdhënieje morale me fermerët që e sjellin vetë sasinë e mbetjeve të gjelbërta dhe ne u japim pleh për sipërfaqet e tyre”, tha Bufi.
Sipas Bufit, këto janë disa procese që realizohen sot në Roskovec, falë bashkëpunimit dhe mbështetjes së GiZ.
“Ne jemi në një dëgjesë publike për të miratuar strategjinë e mbetjeve urbane që prodhohen në një territor të caktuar. Ne duam që në këtë vend të shtojmë edhe një shërbim tjetër që është i rëndësishëm. Dalin disa trungje, degëza që nuk arrijnë të kompostohen dhe kjo kërkon tjetër proces. Kemi përpunimin e ullirit, janë 450 mijë rrënjë ulliri, por bërsitë që dalin nga ky proces bashkë me degëzat dhe trungjet duam t’i përdorim për prodhimin peleta që përdoren për ngrohjen në shkolla. Pra, që bashkia Roskovec të mos nxjerr më para për blerjen e peletave për ngrohje”, u shpreh ajo.
Me anë të kompostimit ulet volumi i mbetjeve që menaxhohet nga bashkia, dhe njëkohësisht bashkia krijon të ardhura përmes shitjes së plehut organik që krijohet.
Ekonomia qarkulluese është një sistem ekonomik që synon minimizimin e mbetjeve nëpërmjet përdorimit të vazhdueshëm të burimeve. Në një ekonomi qarkulluese, mbetjet minimizohen dhe burimet përdoren më shumë ekonomikisht, në mënyrë afatgjatë, nëpërmjet ripërdorimit, riparimit dhe riciklimit të tyre.