Shkup, 18 korrik – Festivali Ndërkombëtar “Mbrëmjet Folklorike të Çarshisë”, në edicionin e tij jubilar të 20-të, i dha edhe këtë vit jetë sheshit “Skënderbe” dhe shpirt Çarshisë së Vjetër, duke e shndërruar atë në pikëtakim kulturash, traditash dhe miqësish ndërkombëtare. Me pjesëmarrjen e dhjetë vendeve dhe organizimin nga Ansambli “Ibe Palikuqi”, ky festival mbetet një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore në komunën tonë.
Pata nderin të jem i pranishëm në hapjen solemne të këtij edicioni, ku përmes performancave dinjitoze u dëshmua se folklori nuk është vetëm trashëgimi, por edhe gjuhë e përbashkët që lidh popujt dhe forcon ndjenjën e përkatësisë. Ansambli nikoqir, me përkushtim dhe profesionalizëm, solli në skenë identitetin tonë kulturor në formën më autentike.
Si Kryetar i Komunës së Çairit, besoj fuqishëm se përkrahja e vazhdueshme e aktiviteteve të tilla kulturore është rrugë drejt ruajtjes së identitetit dhe ndërtimit të një shoqërie gjithëpërfshirëse. “Mbrëmjet Folklorike të Çarshisë” janë dëshmi e gjallë e këtij vizioni dhe vlerë e përbashkët që na bashkon.