Shkup, 18 korrik – Fushata e re e Ministrisë së Bujqësisë me sloganin “Македонско најдобро: Наша традиција, наша гордост” përbën një fyerje të hapur për qytetarët shqiptarë dhe për të gjitha komunitetet jomaqedonase në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Përdorimi i qëllimshëm dhe i vazhdueshëm i termit “Македонско” në një fushatë të financuar nga shteti nuk është rastësi – është politikë përjashtuese. Kjo është përpjekje për ta shndërruar shtetin në pronë të një etnie të vetme dhe për të mohuar realitetin multietnik të shoqërisë sonë.
Si mund të quhen “produkte maqedonase” domatet e Dibrës, djathi i Sharrit, lakra e Begovinës, qepa e Gostivarit, perimet e Likovës, rrushi i Vrapçishtit apo gruri i Karadakut, pa përmendur asnjëherë shqiptarët që i punojnë dhe i prodhojnë ato? Kjo është nacionalizëm institucional i ambalazhuar si promovim ekonomik.
Aleanca për Shqiptarët i bën thirrje të gjithë përfaqësuesve shqiptarë në qeveri që të reagojnë menjëherë, të tërhiqen nga fushata dhe të kërkojnë korrigjim publik të kësaj politike përçarëse. Heshtja nuk është më opsion.