Shkup, 11 gusht – Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, ka zhvilluar sot një inspektim në rrugën “Halim Halimiq” në lagjen Dizhon, për të ndjekur nga afër progresin e punimeve infrastrukturore, shkruan Zhurnal.mk.
Sipas tij, procesi i vendosjes së kanalizimit është përfunduar, ndërsa gypi kryesor i ujësjellësit është tashmë instaluar. Aktualisht, pritet testimi dhe klorizimi i tij përpara se të vihet në funksion.
Ky projekt po realizohet me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në kuadër të thirrjes së parë për vitin 2024. Pas fazës aktuale, do të bëhet lidhja individuale e çdo amvisërie me rrjetin e ujësjellësit dhe do të vijojë asfaltimi përfundimtar i rrugës.
Punimet pritet të sjellin përmirësime të ndjeshme në infrastrukturë dhe në cilësinë e jetesës për banorët e kësaj zone.//Zhurnal.mk