Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha lajmëroi sot se PD do të nisë protesta deri në largimin e kryeministrit Edi Rama nga detyra.
“Ne jemi ata që do përballemi dhëmb për dhëmb me Edi Ramën. Koha është e guximtarëve. U garantoj unë ju se po të mos ishin ato protesta të udhëhequra nga Belind Këlliçi, 46 javë në çdo lloj moti, Erion Veliaj do të ishte në zyrë sot”, tha Berisha.
Kështu që, vijoi Berisha, ai mund dhe ajo djersë, ai guxim dhe ajo sakrificë, ka qenë, në vlerësimin tim, ndër më eficientet dhe më të rëndësishmet që ka bërë PD.
“Veliaj përbënte një rrezik madhor për vendin me karakterin e tij, në çdo aspekt. Me të ne shpëtuam vendin nga njëra gjysmë e zezë e Edi Ramës”, tha Berisha.
Kreu i PD-së u shpreh se nuk e pranojmë se Belinda Balluku qenka fajtori kryesor për tunelin e Llogorasë.
“Ne do të nisim protestat të cilat do të ndalen kur Edi Rama të largohet nga ajo zyrë. Në qoftë se demokratët nuk përballen me të, nuk kanë asnjë kredibilitet, asnjë të drejtë morale të shkojnë tek zgjedhësit”, tha Berisha.
Kreu i PD-së informoi edhe për qëndrimin e grupit parlamentar për të mos e votuar projektligjin për barazinë gjinore. “Ligje që kundërshtohen nga komunitetet fetare të Shqipërisë, në mënyrë absolute nuk votojmë”, u shpreh ai.
“Ata e kanë thënë fjalën e tyre, e kanë kundërshtuar në mënyrën më të vendosur.
Ne nuk merremi në mënyrë absolute me orientimin seksual të personave. Jo, ne e respektojmë atë, por ne nuk shkonfigurojmë gjininë”, u shpreh Berisha.
“Ne do bëjmë gjithçka për të bërë një diskutim të strukturuar për këtë çështje, e cila nuk mund të bëhej kurrë pa referendum. Kjo, minimumi donte një referendum.
Dhe i garantoj shqiptarët se ta votojnë sa të duan, PD nesër në pushtet atë ligj do e abrogojë”, deklaroi Berisha.