Shkup, 5 nëntor – “Kapitulli 23, që merret me sistemin gjyqësor dhe të drejtat e njeriut, nuk ka asnjë përparim. Absolutisht askund, në nivel horizontal në pjesën e drejtësisë, ligjet kyçe reformuese ishin pjesë e agjendës reformuese, megjithatë qeveria nuk arriti t’i miratojë. Në masë të madhe jemi të vetëdijshëm se ekzistojnë ndikime në nivel politik, të cilat janë më shumë se ndërhyrje në gjyqësor — këtë e konstaton edhe vetë raporti dhe paralajmëron se kjo nuk duhet të bëhet praktikë në asnjë nivel”, theksoi në emisionin e sotëm Top Tema Simonida Kacarska, drejtoreshë ekzekutive e EPI-së.
Sipas saj, pika e dytë – kapitulli 24, që ka të bëjë me drejtësinë, lirinë dhe sigurinë dhe që është në kompetencë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka më pak përparim krahasuar me vitin e kaluar, sipas vlerësimit të Komisionit Evropian.
“Ky është një kapitull ku tradicionalisht kemi qëndruar mirë, falë punës së kaluar. Nëse kthehemi pas te liberalizimi i vizave në vitet 2008–2009, ne ishim ‘nxënësi i mirë’ për shumicën e këtyre politikave dhe udhëhiqnim për një periudhë të gjatë, por këtë vit kemi më pak përparim. Nëse i shikojmë të dy kapitujt bashkë, kjo mund të paraqesë një problem të madh nëse nuk ka përparim, sepse nëse situata vazhdon kështu, Komisioni Evropian mund të ngrejë pyetjen se si mund t’i zhvillojmë negociatat, kur një pjesë e këtij klasteri krijon bazat e vetë procesit të negociatave,” vlerëson Kacarska.
Ajo theksoi se, nëse shikojmë më hollësisht kapitullin 23 për drejtësinë, është konstatuar se nuk ka asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit. “Aty janë përmendur ngjarjet në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe mosmiratimi i Kodit Penal”, shtoi ajo.