Komisioni i Prokurimit Publik është institucioni i cili shihet si hapi i fundit në piramidën shtetërore për t’u ankimuar në procesin e prokurimeve publike.
Kreu i këtij institucioni, Jonaid Myzyri, është marrë i pandehur nga SPAK dhe janë me qindra rastet e vendimeve absurde nga ky institucion që përfundojnë në gjykata duke sjellë dhe bllokime apo pasoja ekonomike për institucionet apo operatorët ekonomikë.
CNA po thellon më tej investigimin në lidhje me këtë institucion dhe kapjen deri keqpërdorimin e tij nga segmente dhe individë të caktuar.
Ne po sjellim një rast kur KPP është jo vetëm keqpërdorur, por me hapat e njëpasnjëshëm dhe bllokimet e ndodhura ku nga paaftësia, ku nga injoranca, duke mos përjashtuar dyshimet se mund të jetë edhe një aferë korruptive në themel të institucionit me pasoja të mëdha për institucionet e shtetit. Rastet flasin vetë.
Le ta sjellim shembullin se si bëhen bllokimet e qëllimshme ankim pas ankimimi, dhe kjo është tashmë e provuar.
Pas marrjes së vendimit nga KPP, Autoriteti Kontraktor është i detyruar të nxjerrë një shtojcë për zbatimin e vendimit të tij brenda 5 ditëve, dhe më pas KPP të shprehet nëse do të heqë apo jo pezullimin. Rastet kur KPP nuk i heq pezullimet janë kur nuk është zbatuar vendimi i KPP nga ana e Autoritetit Kontraktor.
Në shume ankesa të evidentuara së fundmi (lista më poshtë) përpara se KPP të dalë me një vendim për heqje apo jo pezullimi të Operatorit Ekonomik, bëjnë një ankesë të re dhe KPP merret me shqyrtimin e saj duke e pranuar.

Këtu ka një parregullsi ligjore, sepse procesi duhet të mbyllej kur KPP të shprehej lejohet apo jo vazhdimi i procedurës dhe i hapave të mëtejshëm, jo të vazhdojë me ankesa pas ankesash. Këto manovrime bëjnë që “loja” e ankesave të mos ndalojë kurrë dhe procedura të mos realizohet fare.
Nga pas qëndrojnë në hije lidhjet e forta të ankimuesve të qëllimshëm, ku gjithçka duket e qartë, se duhet të kalojë nga duart e tyre ndryshe s’ka procedura, s’ka tenderë IT, vetëm ankesa dhe bllokime.
TENDENCA E KPP
KPP ka pranuar 100% të ankesave të operatorëve që drejtohen dhe menaxhohen nga Migena Schröder dhe shtetasi Gerond Meçe.
Fakt ky që konfirmon për të disatën herë atë që CNA ka zbuluar se po përdoren skema që çojnë në një bllokim total të procedurave të IT, për arsye që të kontrollohen nga disa duar të caktuara.
KPP duhet të ndjekë rregullin dhe ligjin për prokurimin publik duke u garantuar palëve se procesi është i drejtë dhe transparent.
Por KPP krijon edhe më shumë bllokadë apo favore tenderësh që kërkohen deri nga “ambasadorë” që u shkruajnë e-maile institucioneve, apo format e dyshimta të presionit me pasaportën e Znj. Schröder apo letra anonime të kaluara pranë ose nga dirigjenca e Gerond Meçes./ CNA