Nis dëshminë Wesley Clark, gjeneral i pensionuar amerikan, i cili udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999.
Ai dëshmon në mbrojtje të Hashim Thaçit në Hagë.
Kush është Clark?
Ai kaloi 34 vjet në Ushtrinë Amerikane, duke marrë shumë dekorata ushtarake, disa tituj nderi dhe Medaljen Presidenciale të Lirisë.
Fushata e sulmeve të NATO-s, që zgjati 11 javë, nisi për ta ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë, dhe u ndërpre në qershor të vitit 1999, një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.
Ajo çoi në përfundimin e vrasjeve dhe përfundimisht, vite më vonë, në pavarësimin e Kosovës.
Clark shihet si hero në Kosovë për rolin e tij në çlirimin e vendit dhe për këtë ai është nderuar në Prishtinë në vitin 2024 me një dekoratë. Në Kosovë madje ka edhe rrugë të emëruara në nderim të tij.
Dëshmitari i fundit
Clark do të jetë i fundit që do të dëshmojë në të mirë të Thaçit, mbrojtja e të cilit e filloi thirrjen e dëshmitarëve në shtator.
Deri tani, në mbrojtje të Thaçit kanë dëshmuar ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje më 1999, Paul Williams, ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, diplomati i pensionuar amerikan, Christopher Hill, si dhe Mike Durkee, këshilltar i gjeneralit Clark më 1999. Që të gjithë thanë në dëshmitë e tyre se Thaçi nuk kishte autoritet mbi UÇK.