Shkup, 26 nëntor – Deri më 31 dhjetor të këtij viti është në fuqi norma e favorshme prej 5% e TVSH-së për blerësin e parë të një banese të re, masë e cila u vendos për të zbutur goditjen e çmimeve nga shtrenjtimi i banesave në ndërtim.
Norma e favorshme prej 5% TVSH për shitjen e parë të një banese të re u vendos për herë të parë në vitin 2010 si masë antikrizë dhe konsiderohet një ndër masat më të rëndësishme që ndikojnë drejtpërdrejt në qasshmërinë e banimit dhe dinamiken e sektorit të ndërtimit.
Fillimisht u vendos me afat pesëvjeçar dhe disa herë është vazhduar – fillimisht për periudha prej pesë vitesh, e më pas për nga tre vjet. Zgjatja e fundit është nga viti 2023 dhe vlen deri më 31 dhjetor 2025.
Sipas vendimit aktual për mallrat dhe shërbimet me normë të favorshme të TVSH-së (Gazeta Zyrtare nr. 203/23), shitja e banesave të reja nga investitori tek blerësi tatohet me 5%, në vend të normës së rregullt prej 18%.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, informoi se norma e favorshme prej 5% TVSH për shitjen e parë të banesave të reja do të vazhdojë të vlejë edhe pas 1 janarit, në përputhje me ndryshimet e propozuara që tashmë janë në procedurë qeveritare.
“Para një muaji e shprehëm qëndrimin tonë, por nevojiteshin analiza shtesë dhe hulumtime të tregut, jo vetëm në Maqedoni, por edhe krahasimisht me vendet tjera. Bazuar në rezultatet, propozuam që norma prej 5% të mbetet. Gjithashtu jemi në proces të ndryshimeve në të gjithë Ligjin për TVSH, ku do të propozojmë modalitete të reja për të ardhmen,” tha ministrja në intervistën për emisionin “Argument Plus” në TV24.
Ajo theksoi se aktualisht nuk ka kushte për të vendosur normë më të lartë, sidomos duke pasur parasysh se disa qytetarë tashmë kanë paguar paraprakisht ndërsa objektet janë në ndërtim.
“Për të mos u dëmtuar asnjë qytetar, nevojitet procedurë e qartë dhe e përcaktuar mirë. Tani për tani nuk ka mundësi për një gjë të tillë, prandaj propozuam që norma prej 5% të vazhdojë të vlejë,” sqaroi Dimitrieska-Koçoska.
Ministrja shtoi se edhe në vendet ku normat e përgjithshme të TVSH-së janë më të larta, tatimi për banesat është më i ulët. Si shembull, ajo përmendi Slloveninë, ku norma e TVSH-së për banesat është 9,5%.
Në rast se masa nuk do të zgjatej, TVSH-ja do të kthehej sërish në 18%, gjë që mund të shkaktonte rritje të çmimeve të banesave të reja, por edhe rritje të të ardhurave në Buxhet.