Në samitin BE-Ballkani Perëndimor, të zhvilluar në Bruksel më 16-17 dhjetor, u riafirmua partneriteti strategjik mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të rajonit, si dhe angazhimi i plotë dhe i qartë për perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Kryeministri Edi Rama, i cili mori pjesë në këtë samit së bashku me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit më të lartë të BE-së, publikoi momente nga takimet dhe samiti në Bruksel.
Gjatë samitit, Kryeministri Rama mori pjesë në seancën plenare kushtuar thellimit të bashkëpunimit dhe avancimit të integrimit gradual të Ballkanit Perëndimor në BE, përfshirë nismën “Roam like at home” dhe Planin e Rritjes për rajonin.
Seanca u drejtua nga Presidenti i Këshillit Evropian António Costa, me pjesëmarrjen e Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Kaja Kallas dhe Presidentes së Parlamentit Evropian Roberta Metsola.
Në vijim të agjendës në Bruksel, Rama zhvilloi takime me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Presidentin e Këshillit Evropian António Costa dhe Përfaqësuesen e Lartë Kaja Kallas, ku u diskutua mbi ecurinë e procesit të integrimit evropian dhe sfidat aktuale gjeopolitike.
Në deklaratën e përbashkët të miratuar pas samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, Bashkimi Evropian rikonfirmoi angazhimin e plotë dhe të qartë për perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar zgjerimin si një investim gjeostrategjik në paqe, siguri dhe stabilitet.
Deklarata thekson nevojën për përshpejtimin e reformave të bazuara në meritë, forcimin e shtetit të së drejtës, demokracisë, lirisë së medias dhe luftës kundër korrupsionit, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
BE-ja nënvizon mbështetjen për integrimin gradual të rajonit në Tregun e Vetëm, zbatimin e Planit të Rritjes dhe përfitimet konkrete për qytetarët, përfshirë uljen e kostove të roaming-ut, ndërsa rithekson harmonizimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, mbështetjen për Ukrainën dhe domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit si faktor kyç për përparimin evropian të rajonit.