Rutte: NATO nuk do të lejojë një vakum sigurie në Ballkanin Perëndimor dhe do të forcojë mbrojtjen kolektive, përfshirë edhe Arktikun

nga Xh M

Bruksel, 26 janar – NATO po e ndjek me kujdes situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, sepse nuk mund të lejojë krijimin e një vakumi sigurie në rajon. Për këtë arsye, Aleanca është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Serbi, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë një shkëmbimi mendimesh mbi zhvillimet më të fundit në sigurinë dhe mbrojtjen transatlantike me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme (AFET) dhe Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje (SEDE) të Parlamentit Evropian.

– Jam në kontakt të vazhdueshëm me Presidencën treanëtarëshe të Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa sa i përket Kosovës, KFOR-i ka një rol kyç atje. Sa i përket Serbisë, unë kam marrëdhënie personale me presidentin Aleksandar Vuçiq, të cilin e njoh prej vitesh, por gjithashtu presim prej tij që të tregojë përgjegjësi për dy ngjarje që ndodhën disa vite më parë, për të cilat ai premtoi përgjegjësi të plotë – tha Rutte.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të eurodeputetëve lidhur me Groenlandën dhe marrëveshjet e arritura me presidentin amerikan Donald Trump, Rutte theksoi se është rënë dakord që NATO kolektivisht të marrë përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen e Arktikut.

– Siç e dini, shtatë vende të NATO-s ndodhen në Arktik: SHBA përmes Alaskës, sigurisht Kanadaja, Danimarka përmes Groenlandës, si dhe Islanda, Norvegjia, Finlanda dhe Suedia. Vendi i tetë është Rusia, e cila natyrisht nuk është pjesë e NATO-s. Detyra jonë do të jetë të shohim se si kolektivisht mund t’i parandalojmë Rusinë dhe Kinën, në aspekt ushtarak dhe ekonomik, që të kenë qasje në rajonin Arktik – tha Rutte.

Ai theksoi se, ndërsa po i afrohemi përvjetorit të katërt tragjik të fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës, vendi po përballet me dimrin më të ashpër në më shumë se një dekadë, si dhe me sulme të përditshme ndaj infrastrukturës civile dhe civilëve të pafajshëm.

– Rusët po e sulmojnë me egërsi infrastrukturën civile, duke i lënë ukrainasit të ngrijnë fjalë për fjalë, pa ngrohje, pa energji elektrike dhe pa ujë – tha Rutte.

Ai theksoi se SHBA po bëjnë përpjekje për negociata paqeje dhe për t’i dhënë fund luftës, ndërsa Koalicioni i të Gatshmëve, i udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, po punon për sigurimin e garancive të forta të sigurisë për Ukrainën.

Sipas tij, këto garanci sigurie janë thelbësore për të siguruar që, pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje ose një armëpushimi afatgjatë, presidenti rus Vladimir Putin të mos e sulmojë sërish Ukrainën.

Garancitë e sigurisë janë veçanërisht të rëndësishme, siç tha ai, duke pasur parasysh se “disa shtete” aktualisht po e bllokojnë rrugën e Ukrainës drejt NATO-s dhe se në afat të shkurtër anëtarësimi nuk është realisht në lojë.

Sa i përket “çështjes shumë të ndjeshme territoriale”, sipas Rutte-s, vetëm Qeveria e Ukrainës mund të vendosë për territorin.
– Është në dorën e Qeverisë së Ukrainës të vendosë se çfarë kompromisi territorial mund të pranojë – tha Rutte.

Ai theksoi rëndësinë e veçantë të iniciativës përmes së cilës aleatët e NATO-s blejnë pajisje ushtarake amerikane me vlerë miliarda dollarë, të cilat më pas dërgohen drejtpërdrejt në Ukrainë.

– Aleatët dhe partnerët janë absolutisht jetikë për të mbajtur gjallë rezistencën e Ukrainës dhe për t’i mundësuar asaj të mbrojë popullsinë e vet. Thjesht nuk ka alternativë tjetër – tha Rutte.

Ai nënvizoi se BE-ja ka një rol jetik përmes mbështetjes së saj financiare për Ukrainën, duke u bërë thirrje institucioneve evropiane të tregojnë fleksibilitet në shpenzimin e fondeve dhe të mos jenë tepër restriktive.

– BE-ja dhe NATO tani po punojnë së bashku, si në Bruksel ashtu edhe në Kiev, për ta ndihmuar Ukrainën përmes koordinimit të ndihmës ushtarake dhe trajnimit të forcave ukrainase, si dhe përmes forcimit të industrisë mbrojtëse ukrainase. Të gjitha këto përpjekje janë plotësuese dhe duhet të vazhdojnë. Kjo është e rëndësishme për sigurinë e Ukrainës dhe, mendoj se të gjithë e dimë, edhe për sigurinë tonë – tha Rutte.

Ai kujtoi se në Samitin e vitit të kaluar në Hagë, vendet anëtare të NATO-s ranë dakord të rrisin shpenzimet për mbrojtje deri në vitin 2035 në nivelin 5 për qind të PBB-së.

– Pesë për qind sigurisht që është shumë, por forcimi i bazës sonë industriale nuk është i lehtë. Mesazhi im është: duhet ta bëjmë këtë dhe duhet ta bëjmë shpejt. Së pari sepse situata e sigurisë e kërkon, pasi po përballemi me sfida reale dhe të qëndrueshme për sigurinë tonë; dhe së dyti sepse koha kur praktikisht lejonim SHBA-të të mbanin pjesën më të madhe të barrës së sigurisë së përbashkët ka përfunduar. Evropa dhe Kanadaja duhet të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre – dhe lajmi i mirë është se po e bëjnë këtë – shtoi Rutte.

Sipas tij, një rritje e tillë e shpenzimeve nuk do të kishte ndodhur pa presidentin amerikan Trump.

– A mendoni vërtet se Kanadaja do të vendoste të rrisë shpenzimet nga 1,5 në 2 për qind? Apo që Italia tani të shpenzojë 10 miliardë euro më shumë për mbrojtjen sesa në fillim të vitit? Pa presidentin Trump, kjo nuk do të kishte asnjë shans. Prandaj mendoj se ai është shumë i rëndësishëm për NATO-n dhe është plotësisht i përkushtuar ndaj saj – tha Rutte.

Ai theksoi se kushdo që mendon se Evropa mund të mbrohet pa SHBA-të, mund të vazhdojë të ëndërrojë, sepse pa Uashingtonin, edhe shpenzimet prej 5 për qind të PBB-së për mbrojtje nuk do të mjaftonin – do të duheshin 10 për qind.

Sipas tij, një mbrojtje më e fortë evropiane është kyçe, por përpjekjet për forcimin e saj duhet të jenë të përputhshme me NATO-n dhe ta plotësojnë atë që ekziston në Aleancë.

– Le të jemi praktikë dhe realistë kur bëhet fjalë për sigurinë tonë. Duhet ta shfrytëzojmë perspektivën tonë për përdorim më të madh të fondeve të përbashkëta dhe inovacioneve industriale. Kjo është e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur – tha kreu i NATO-s.

Rutte theksoi se, në një kohë kur Rusia, Irani, Kina dhe Koreja e Veriut po harmonizohen gjithnjë e më shumë dhe po sfidojnë NATO-n dhe BE-në, është e rëndësishme të forcohen partneritetet edhe përtej rajoneve të tyre dhe të angazhohen me partnerë të tjerë, si ata nga rajoni i Paqësorit – Koreja e Jugut, Japonia, Australia dhe Zelanda e Re.

Ai vuri në dukje se NATO dhe BE janë partnerë unikë që së bashku mund të bëjnë shumë më tepër, duke pasur parasysh se 23 vende të BE-së janë gjithashtu anëtare të Aleancës dhe 96 për qind e popullsisë evropiane jeton në shtete të NATO-s.

– Ekziston një mbivendosje e madhe mes BE-së dhe NATO-s dhe mendoj se, përmes ndarjes së punës, mund të jemi më të fortë se kurrë më parë – përfundoi Rutte.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More