Gjykata e Posaçme e Apelit konfirmoi dënimin me burgim të përjetshëm për Redjan Rrajën, i fajësuar nga Shkalla e Parë për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja nëntorin e vitit 2019.
Në ngjarjen e ndodhur në segmentin Durrës-Tiranë pranë rrethrrotullimit të Shkozetit u plagos prokurori dhe Aleksandër Laho, i njohur si Rrumi i Shijakut, si edhe shoferi Andi Maloku, që ndërroi jetë më pas në spital.
Të pandryshuar Apeli la edhe dënimin me 35 vjet burg për të bashkëpandehurin e Rrajës, Ariol Halilajn. Sipas hetimit të SPAK, Redjan Rraja ka qenë pjesë e grupit të atentatorëve ndaj prokurorit Ndoja.
Mes provave të SPAK kundër tij, ishin gjurmët ADN-je të të pandehurit në një automjet të braktisur në Shkafane të Durrësit, ku ishin edhe armët e përdorura në atentat. Ndërsa i pandehuri Halilaj ka ndihmuar Rrajën të largohet nga ky vend. Por teksa Rraja dhe Halilaj kishin kaluar në gjykim për ngjarjen, SPAK identifikoi bashkëpunëtorët e tyre.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, në atentatin e 1 nëntorit 2019 kanë marrë pjesë Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Bledar Polovina dhe Amar Shkëmbi, i njohur edhe me emrin Dritan, të gjithë të shpallur në kërkim.