Zanatet e vjetra pjesë e historisë të rinjtë nuk duan as të dëgjojnë!

nga I.A

Shkup, 11 qershor – Hulumtimi i tregut dhe përcaktimi i profesionit janë hapat kryesore dhe shumë të rëndësishëm që duhet të ndërmarrin studentët e ardhshëm. Por, maturantët e kanë të pamundur të bëjnë hulumtim të tregut, prandaj institucionet përgjegjëse janë atë që duhet ta marrin këtë çështje përsipër dhe të hulumtojnë tregun për të parë nevojat, dhe pastaj për të stimuluar pikërisht këto profesione që të jenë në fokus të të rinjve. Vetëm përmes kësaj forme mund të plotësohet mungesa e fuqisë punëtore në treg si dhe ikja e të rinjve si pasojë e papunësisë. Përndryshe, drejtimet deficitare po rrezikojnë të mbesin pa student si dhe shkollat pa mësimdhënës, që në realitet për një periudhë të shkurtë kohore paraqiten problematike shumë të mëdha. Nuk qëndron gjendja më mirë as me zanatet, dita ditës Çarshia e Shkupit po rrezikon të mbetet pa zejtarë, shkruan Zhurnal.

Zanatçinjtë të dëshpëruar me prodhimet vendore –

Gjysma e këtij dyqani që sot shërben vetëm për shitjen e çantave nga jashtë, më herët ka qenë punëtori. Familja Idriz nga Shkupi, që nga vitet e 60-ta është marrë me prodhimin e çantave, por për shkak të mungesës së punëtorëve ata kryesisht merren me shitblerjen e tyre. Faredin Idriz, thotë se të rinjtë më nuk po preferojnë që të marrin zanate dhe me këtë punë aktualisht po merret vetëm ai bashkë me vëllezërit.

“Kemi pas punëtorë, kemi pas punëtorë dikund 5-6 punëtorë, 3 çirakë, prodhimi ka qenë minimum 30-50-60 varet prej modelit. Tani për tani nuk ka më shumë se 5 copë, maksimalisht 10 copa mund të prodhosh në ditë. Edhe atë nuk e kemi për dit prodhimin, varet në javë dy-tre herë sipas nevojës. Rinia momentalisht për me marrë zanat, nuk vjen asnjëri për të marrë zanat”, tha Faredin Idriz, prodhues çantash, për Alsat.

Idriz thotë se fati i njejtë po i përcjell pothuajse të gjitha zanatet, ndërsa nënvizon se zanatçinjtë nuk kanë përkrahje nga shteti.

“Momentalisht jo vetëm zanati i çantave, të gjitha zanatet e tjera këtu, shumica e esnafëve të vjetër, dalëngadalë kah fundi janë, sepse rinia, nuk e di përse rinia nuk vijnë të marrin zanat, asnjë. Të gjithë që vijnë menjëherë dëshirojnë të dalin jashtë. Domethënë dalëngadal vetëm vetë që kemi mbet jemi duke prodhu diçka edhe ato janë kah fundi. 90 përqind kanë nis më shumë tregti me bë, se nuk po arrihet…. Edhe panairi u mbyll, u hapën shumë qendra tregtare, dalëngadalë edhe shteti si shtet te ne, për zanaçinjtë nuk ofron asnjë subvencion”, shtoi ai.

Drejtimet deficitare drejt zhdukjes –

Nëse pyesim se përse sot të rinjtë nuk po studiojnë drejtime deficitare për të cilat kuadro ka nevojë vendi ynë, përgjigja do të jetë e kësaj natyre. Përderisa mungon motivimi mungon edhe interesimi, sot studentët janë më pak të interesuar të studiojnë drejtime që janë deficitare në vend e për të cilat nuk dihet nëse të ardhmen do të punësohen. Nga ana tjetër tregu ka mungesë të profesionistëve të fushave të ndryshme dhe kjo mungesë veçse shtohet çdo ditë e më shumë. Mungojnë numër i madh i anesteziologëve në vend, specialistë të fushave të ndryshme të mjekësisë, kimistë, fizikanët e matematicient të shumtë.

Kjo pasi mungon përkrahja e duhur financiare nga institucionet përgjegjëse, duhet edhe më shumë jo vetëm përmes bursave, që në realitet bursat duhet të jenë edhe më të larta që të mbulojnë këta studentë shpenzimet tashmë me krizën e thellë ekonomike. Pastaj, përpos përkrahjes financiare institucionet duhet të garantojnë punësimin e tyre pas diplomimit, që studentët e ardhshëm mos të kenë hamendje se çfarë pas diplomimit.

Por, siduket institucionet e vendit aq që brengosen për këtë pjesë janë në qetësi absolute, vetëm se kur të paraqitet nevoja e të ndjehet mungesa thellësisht atëherë krijohet situatë kritike që nuk mund të zgjidhet as brenda natës e as brenda ditës, pasi shkaku i problemit daton më herët por kundrejt këtij problemi tani për tani askush nuk po ndërmerr masa.

Megjithatë, përderisa ekziston hendeku mes tregut të punës dhe profesionit, një mospërputhje e pakuptimtë që në realitet nuk duhet të ekzistojë fare, krijohet kjo katrahurë që të rinjtë diplomojnë në drejtime të njëjta si mjekësi, juridik, ekonomi, administratë publike, e të tjera, ndërkaq nga ana tjetër ka mungesë të madhe në sociologji, psikologji, kimi, fizik, ndërtimtari, gjeodezi, e të tjera.

Kujtojmë që, tregu i punës RMV vuan nga aktiviteti i ulët, nivelet e ulëta të punësimit, papunësia e lartë dhe mospërputhja midis kërkesës dhe ofertës së punës. E kjo nuk vjen rastësisht, por pikërisht nga mungesa e përgjegjësisë së institucioneve që janë të ngarkuara për ta mbuluar këtë pjesë. Dhe sa më shumë që zgjat ky mos interesim pasojat do të jenë edhe më të mëdha në të ardhmen jo shumë të largët. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More