Qendra e Dislokueshme e Komandim-Kontrollit Ajror (DACCC) në Poggio Renatico në Itali u vesh kuqezi, për një ditë.
Ky ishte një moment krenarie për Shqipërinë, që në këtë ceremoni, me rastin e festave të 28 dhe 29 Nëntorit, u përfaqësua nga Zëvendësministri i Mbrojtjes, Dorian Tola.
Në fjalën e tij Tola, vlerësoi rolin dhe rëndësinë e veçantë të kësaj njësie të NATO-s si një qendër ekselence për komandim-kontrollin e AIRCOM, duke theksuar edhe mundësitë e bashkëpunimit mes vendeve aleate.
Gjatë vizitës në sallën operacionale të DACCC, zëvendësministri komunikoi me efektivët e Qendrës së Komandim-Kontrollit CRC, Rinas, të Forcës Ajrore, të cilëve u shprehu vlerësimin për realizimin e misionit në bashkëpunim me këtë njësi të NATO-s.
Komandanti i DACCC, gjeneralmajor Luca Maineri theksoi rëndësinë e kësaj dite të shënuar për kombin shqiptar, ndërsa veçoi rolin e veçantë që vendi ynë ka në këtë njësi.
Në DACCC marrin pjesë gjashtëmbëdhjetë vende të NATO-s, që kontribuojnë me 295 efektivë, mes të cilëve edhe nënkoloneli i Forcës Ajrore, Eduart Pllaha, pjesë e Drejtorisë së Zbulimit pranë Qendrës së Operacioneve Ajrore të Dislokueshme (DAOC).