Rritet numri i pacientëve me probleme respiratore

nga Xh M

Shkup, 30 nëntor – Shkupi, vazhdon të mbetet në krye të listës si, qyteti më i ndotur në Evropë dhe i pesti në botë, kjo sipas të dhënave të faqes së specializuar për matjen e cilësisë së ajrit, IQAir. Мјеkët thonë se numri i pacientëve që kanë probleme respiratore është shtuar ndjeshëm gjatë kësaj periudhe.

“Ajri në Shkup është i ndotur gjatë gjithë vitit, mirëpo ndotja rritet në mënyrë dramatike gjatë muajve të dimrit dhe si rezultat i kësaj rritet edhe fluksi i pacientëve që kërkojnë ndihmë nga institucionet shëndetësore. Pacientët kryesisht ankohen për simptoma si: kollitje, frymëmarrje të vështirësuar, djegie fyti, lotim të syve, etj..”, u shpreh mjeku Usam Memedi.

Probleme më të theksuara shëndetësore për shkak të ndotjes kanë kryesisht kategoritë e ndjeshme. Mjekët rekomandojnë që të shmangen qëndrimet e gjata në ambient të hapur.

“Më të prekur nga kjo situatë mbeten pacientët me sëmundje kronike të sistemit të frymëmarrjes si asma, sëmundjet obstruktive, etj. dhe nëse shtojmë faktin që tash rritet numri i infeksioneve virusale atëherë ky kombinim e vështirëson edhe më shumë situatën. Ndotja gjithashtu ndikon negativisht te fëmijët, personat me imunitet të dobët dhe personat me sëmundje të zemrës të cilët shumë vështirë e përballojnë. Rekomandimet tona janë që këto grupe të rrezikuara por edhe qytetarët të mundohen në maksimum të zvogëlojnë lëvizjen dhe aktivitetet jashtë shtëpisë, të mbahen maska mbrojtëse dhe të përdoret transporti publik për udhëtim.”, tha Memedi.

Sipas raportit të fundit, publikuar nga ISHP në Maqedoni ka 3.828 vdekje në vit që mund t’i atribuohen ekspozimit ndaj përqendrimeve aktuale të grimcave PM 2.5 që është 17.7 përqind e vdekshmërisë totale në vend. Në rang botëror, Delhi është në listën e qyteteve më të ndotura në botë, i ndjekur nga Lahore, Kajro, Tashkent, Shkupi, Bagdati, Athina dhe Katmandu.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More