Shkup, 30 nëntor – Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit, në pajtim me Planin Akcional të miratuar nga Qeveria, lidhur me masat afatshkurtra për zvogëlimin e emetimeve të substancave ndotëse në ajër, pa njoftim paraprak kanë filluar me inspektime të jashtëzakonshme në instalimet me A – Leje mjedisore të integruar.
Siç ceket në kumtesën nga MMJPH-së, dje, nga ora 18:30 deri në orën 23:30, 3 ekipe të përbëra nga inspektorë shtetërorë të mjedisit si dhe ekspertë të Administratës së Mjedisit/MMJPH inspektuan gjithësej 11 instalime si Makstill, Usje, Te-To, ESM – Ngrohtorja Perëndim dhe ESM – Ngrohtorja Lindje, ESM Kogel dhe Liberti të cilat ishin në regjim pune, ndërsa ESM Energjetika, BAUER dhe NP Rrugët – nuk ishin në regjim pune gjatë mbikëqyrjes, si dhe Skopski Leguri impiant i cili nuk punon për disa vite me rradhë.
“Gjatë inspektimeve u kontrollua mënyra e funksionimit të instalimeve, emetimet në ajër si dhe frekuenca e matjeve. Impiantet që u vizituan, si pjesë e aktiviteteve për rritjen e përgjegjësisë sociale, u rekomanduan të rrisin sipërfaqet e gjelbra që ndikojnë shtesë në përmirësimin e cilësisë së ajrit. Disa prej tyre tashmë kanë ndërmarrë aktivitete të shumta në këtë drejtim”, thuhet në kumtesë.
Inspektimet e jashtëzakonshme pa njoftim paraprak do të vazhdojnë sipas dinamikës së planifikuar në gjithë territorin e vendit, ndërsa informata shtesë mbi inspektimet e realizuara do të ndahen më tej.