Debate në Kuvend, Spiropali: Mos të bëhet politikë me të vdekurit

nga D V

Kuvendi u përfshi sot nga debatet lidhur me procedurat që duhet të ndiqen kur shpallet një minutë heshtje në nderim të personave me kontribute në shoqëri.

Pas propozimit të deputetes së Partisë Demokratike Jorida Tabaku që Kuvendi të mbajë një minutë heshtje në nderim të Arben Tafaj, kryetari i shoqatës “Tirana”, i cili u nda sot nga jeta, reagoi ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i cili u shpreh se Kuvendi e ka të përcaktuar në rregullore procedurat që ndiqen në një rast të tillë.

Ndërsa u shpreh plotësisht dakord me propozimin për nderimin me 1 minutë heshtje të Arben Tafaj në Kuvend, Balla tha se “nuk duhet të bëhen akte qesharake”.

Balla iu referua minutës së heshtjes të kërkuar mëngjesin e sotëm në Kuvend nga kryetari i PD-së Sali Berisha për profesor Sami Repishtin, ndërsa theksoi se “personi që e ka akuzuar për spiun kërkon të mbahet edhe një minutë heshtje”.

“Jam plotësisht dakord që figura e një pinjolli të një prej familjeve më të nderuara të Tiranës e meriton 1 minutë heshtje në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo falë kontributit të tij publik në promovimin e traditës dhe trashëgimisë kulturore të Tiranës por edhe si koleg në politikë. Por e kam kërkuar edhe në mëngjes fjalën por nuk mu dha për të shpjeguar diçka të shkruar në rregulloren e Kuvendit, pasi kjo historia e minutës së heshtjes është bërë pak qesharake. Kemi thënë që minuta e heshtjes kërkohet nga çdo deputet, por nuk jepet menjëherë. Diskutohet mes Kryetarit të Kuvendit dhe kryetarëve të grupeve për të përcaktuar një kohë të përshtatshme se kur mund të mbahet në respekt të atij. Të mos bëhen akte qesharake si në mëngjes kur personi që e ka akuzuar tjetrin për spiun kërkon të mbahet edh një minutë heshtje”, tha Balla.

Në vijim, edhe kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali u shpreh se respekti për të ndjerin e kërkon që të respektohet minimalisht kjo qasje institucionale dhe njerëzore.

“Unë e lejova minutën e heshtjes për Repishtin në mëngjes edhe pse do të kërkonte më shumë solemnitet dhe jo propozimin nga dikush që e ka përdhosur për së gjalli. Ne nuk duam të bëjmë politikë me të vdekurit dhe sa të jem unë këtu, në këtë vend nuk do të bëjmë politikë me të vdekurit. Siç nuk lejova të bëhet politikë në rastin e 14-vjeçarit javën e kaluar ku sërish u kërkua të përdoret një i vdekur në sallën e Kuvendit për politikë dhe më pas heshtja ndaj tij u përdor si baltë për të shumtët këtu”, tha Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit kërkoi që të respektohet solemniteti i sallës së Kuvendit dhe rregullorja në mënyrën e propozimit për emra të tillë që meritojnë gjithë mirënjohjen tonë.

“Bëra të qartë qëndrimin tim mbi një abuzim të përsëritur në këtë sallë për njerëz që nuk janë më në jetë. Mos ta përdorim për politikë të ditës çdo të vdekur në këtë vend. Ky parlament ka një procedurë por edhe një hierarki kur deputetët ngrihen në këmbë.
Jo çdo deputet që ngrihet në foltoren e Kuvendit mund të ngrejë në këmbë Kuvendin sa herë të dojë”, tha Spiropali.

Në vijim, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Niko Peleshi bëri të ditur se bashkë me kryetarin e grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi kanë rënë dakord që në orën 14:00 Kuvendi të mbajë një minutë heshtje në nderim të Arben Tafaj.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More