Zëvendësministri i Drejtësisë, Klajd Karameta ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Kosovë, ku u takua me homologun e tij, Vigan Qorrolli, për të avancuar bashkëpunimin juridik ndërmjet dy vendeve.
Në një postim në rrjetet sociale, Ministria e Drejtësisë bën me dije se takimi u fokusua në hartimin e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale, duke adresuar çështje si sekuestrimi i aseteve, pyetjet me video-konferencë, komunikimi i drejtpërdrejtë gjyqësor dhe grupet e përbashkëta hetimore.
“Në takim morën pjesë drejtues të departamenteve të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe stafet mbështetëse, duke dëshmuar angazhimin për një drejtësi më efikase dhe institucione më të forta në shërbim të qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës”, njofton ministria e Drejtësisë.