FRONTEX: Viti 2024 shënoi rënien më të madhe të migrantëve të parregullt në Ballkan, 78% më pak se 2023

nga Xh M

Bruksel, 16 janar – Numri i migrantëve të parregullt që hynë në vendet e Ballkanit me synim për të kaluar drejt vendeve europiane gjatë vitit 2024 ishte 78% më pak se viti 2023, sipas të dhënave vjetore të publikuara nga Agjencia Europiane e Ruajtjes së Kufijve, FRONTEX.

Rreth 21 mijë migrantë të parregullt kryesisht nga Siria, Turqia dhe Afganistani u ndaluan nga policitë kufitare në të ashtuquajturën “Rruga ballkanike” e kalimit të migrantëve që përfshin vendet e Ballkanit Perëndimor, mes të cilave dhe Shqipëria.

Ndërkohë, sipas të dhënave vjetore të FRONTEX-it pavarësisht presionit të vazhdueshëm të migracionit, bashkëpunimi i vendeve të Bashkimit Europian dhe partnerëve kundër rrjeteve të kontrabandës ka reduktuar me 38% krahasuar me vitin 2023 kalimet e migrantëve të parregullt në kufijtë e jashtëm të Evropës.

Sipas FRONTEX-it në total kalimet e migrantëve të parregullt drejt vendeve të Bashkimit Europian ishin rreth 239000 gjatë vitit 2024.

FRONTEX-i vëren se rënia e përgjithshme e numrit të migrantëve të parregullt është duke arritur nivelin më të ulët që nga viti 2021, kur migrimi ishte ende i prekur nga pandemia COVID.

Sipas FRONTEX-it krahas rënies më të madhe të shënuar në Ballkan rënia e numrit të përgjithshëm u shkaktua kryesisht nga një rënie prej 59% e mbërritjeve përmes rrugës së Mesdheut Qendror, për shkak të më pak nisjeve nga Tunizia dhe Libia.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More