Shpëlarja e parave në Kosovë: Sa aktakuza u ngritën e sa persona u dënuan?

nga Xh M

Nga viti 2014, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur 22 aktakuza për vepra penale që përfshijnë edhe shpëlarjen e parave, në të cilat përfshihen 99 të dyshuar. Megjithatë, vetëm 36.3% e këtyre rasteve ka përfunduar me vendime dënuese.

Sipas të dhënave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, nga 22 rastet e trajtuara në gjykata, vetëm 8 kanë përfunduar me vendime fajësuese, ndërsa në 9 raste të tjera janë shpallur vendime liruese. Pesë raste mbeten ende pa vendim përfundimtar.

Shpëlarja e parave është e përcaktuar në nenin 308 të Kodit Penal të Kosovës dhe rregullohet gjithashtu nga Ligji për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit. Ndërsa Prokuroria Speciale është institucioni kryesor përgjegjës për ndjekjen penale të kësaj vepre.

Derisa Prokuroria Speciale nuk është përgjigjur në pyetjet për rastet e hetuara dhe aktakuzat e ngritura, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka treguar se vetëm në vitin 2024 janë ngritur aktakuza pas procedurave hetimore për 14 persona.

Aktualisht, janë 36 raste të pazgjidhura që përfshijnë 104 persona, ndërkohë që janë përmbyllur vetëm 6 raste që përfshinin 30 individë.

Ligji ekziston, por zbatimi mbetet sfidë

Liridon Salihu nga Instituti i Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), vlerëson se ka pasur disa përmirësime në trajtimin e këtyre rasteve, por jo aq sa të konsiderohen histori suksesi.

“Trajtimi i rasteve të shpëlarjes së parave nga ana e sistemit prokurorial dhe gjyqësor në Kosovë ka pasur disa përmirësime gjatë viteve të fundit, por jo në nivelin e kënaqshëm sa të cilësohen si storie suksesi. Hapat pozitivë që janë bërë gjatë kësaj kohe kanë të bëjnë me ngritjen e një numri të konsiderueshëm të aktakuzave vetëm për veprën penale të shpëlarjes së parave, pasi në të kaluarën ka ekzistuar bindja se kjo vepër penale çdo herë është rrjedhë e një vepre tjetër penale bazë”, thotë ai.

Nga ana tjetër, ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, shpjegon se shpëlarja e parave është një vepër e re në legjislacionin e Kosovës, prandaj mungon praktikë gjyqësore e konsoliduar.

“Vepra penale e shpëlarjes /pastrimit të parave për legjislacionin e Kosovës, është vepër penale e shekullit 21, më herët nuk ka qenë e paraparë si vepër penale. Meqenëse është vepër penale e re, nuk ka pasë shumë praktikë gjyqësore për raste të tilla, kështu trajtimi i kësaj vepre penale është përcjellë me vështirësi, mirëpo gjyqtarët vendorë kanë pasë trajnime të shumta nga ekspertët ndërkombëtarë për trajtimin e rasteve të tilla”, thotë Hasani.

Sipas Hasanit, institucionet nuk po bëjnë mjaft për të luftuar këtë fenomen, duke përmendur rastin e ndërtimit në Kosovë si shembull i mundshëm i përdorimit të parave me origjinë të dyshimtë.

“Nuk besoj se janë duke u ndjekë mjaftueshëm këto vepra penale nga institucionet e ndjekjes, ngase po t’i referohesh vetëm fushës së ndërtimit në Kosovë, ku ka ndërtime të shumta, vështirë është për të besuar se paratë e ndërtimit kanë burimin e shëndoshë (janë legjitime)”, shprehet ai.

Ai ka shtuar se pasi bëhet fjalë për vepra penale që shkaktojnë pasoja të rënda, duke filluar nga ato ekonomike, sociale e familjare.

“Kështu që patjetër ky lloj kriminaliteti do trajtim serioz nga të gjithë mekanizmat e drejtësisë”, ka përfunduar Hasani.

Lidhja e fajdesë me shpëlarjen e parave

Sipas një raporti të Njësisë së Inteligjencës Financiare mbi tipologjitë e shpëlarjes së parave, evazioni tatimor si dhe korrupsioni dhe ryshfeti janë veprat penale bazë, ndaj të cilave Kosova është më shumë e ekspozuar. Sipas raportit, cenueshmëria nga veprat e ndryshme penale bazë ndaj të cilave është e ekspozuar Kosova, u vlerësua në përputhje me krimet me të cilat ishin të lidhura aktivitetet e shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit.

Së fundmi në Kosovë, janë ngritur aktakuza për veprën penale të fajdesë dhe raste të tjera po hetohen për veprën penale bazë të fajdesë ndër të tjera edhe shpëlarjen e parave.

Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë së Pejës, ka thënë se janë duke hetuar disa raste që kanë të bëjnë me veprën penale të “Fajdesë” dhe “Shpëlarjes së parave” por nuk mund të ofrojnë detaje për shkak të fazës në të cilën ndodhen.

Ai ka treguar se Prokuroria Themelore e Pejës ka ngritur 11 aktakuza ndaj më shumë se 20 personave për veprën penale të fajdesë.

Në një rast, një i pandehur u dënua me pesë vite burg, 2,000 euro gjobë dhe u obligua të kthejë 50,000 euro viktimës. U konfiskuan gjithashtu tri banesa dhe një automjet.

“Nga këto aktakuza, disa prej tyre kanë vendim të plotfuqishëm të gjykatës, ku në njërën aktakuzë të ngritur nga prokurori i shtetit në Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Pejës, prokurori i çështjes rastin e ka mbrojtur deri në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovë, ku i pandehuri është dënuar me 5 vite burgim, 2000 euro gjobë. Njëkohësisht është obliguar shumën prej 50 mijë eurove t’ia kthejë viktimës së këtij rasti, për shkak dëmit të shkaktuar. Gjithashtu, për këtë rast është lëshuar edhe kërkesa e urdhrit përfundimtar kufizues për tri banesa dhe një automjet”, tregon Nikçi.

Derisa në dy raste të tjera, ku të akuzuarit janë dënuar me nga tri vite burgim, janë konfiskuar 20 mije euro dhe një automjet, e janë në procedurë edhe konfiskimi i një shtëpie, një banese 25 mijë eurove e 30 hektarëve tokë.

Çka është shpëlarja e parave dhe cilat janë fazat?

Task Forca e Veprimit Financiar (FATF) e përcakton shpëlarjen e parave si “përpunimi i këtyre të ardhurave të krimit për të maskuar origjinën e tyre të paligjshme (…) që i mundëson kriminelit t’i shijojë këto fitime pa rrezikuar burimin e tyre”.

Fazat e shpëlarjes së parave janë vendosja, shtresimi dhe integrimi, të cilat janë përshkruar në një raport të hartuar nga Njësia e Inteligjencës Financiare në vitin 2020.

Faza e parë është vendosja. Fondet, nga lidhja e drejtpërdrejtë me krimin, kalohen në Sistemin Financiar. Kjo mund të bëhet duke ndarë shuma të mëdha parash në shuma më të vogla që depozitohen në pas nëpër llogari, ose duke blerë instrumente monetare që depozitohen nëpër llogari në vende të tjera.

Faza e dytë është shtresimi. Gjurmët e parave maskohen nga shpëlarësit që angazhohen në lëvizjen e parave për t’i distancuar ato nga burimi. Shpesh, shpëlarësi mund t’i transferojë fondet përmes llogarive të ndryshme në mbarë globin, posaçërisht në juridiksione që nuk bashkëpunojnë në hetimet e shpëlarjes së parave.

Kurse faza e tretë është integrimi. Fondet ri-hyjnë në ekonominë e ligjshme pasi përpunimi me sukses të fitimeve të krimit në fazat e vendosjes dhe shtresimit. Fondet shpenzohen përmes investimeve në pasuri të patundshme, asete luksoze ose ndërmarrje biznesi, për të përmendur disa.

Në Kosovë, lufta kundër shpëlarjes së parave bëhet nga disa institucione dhe në mënyra të ndryshme. Këtu përfshihet Njësia e Inteligjencës Financiare (NJIF) që operon në kuadër të Ministrisë së Financave, Policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), Dogana e Kosovës dhe Banka Qendrore e Kosovës (BQK), që ndër të tjera bën rregullimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve financiare në Kosovë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More