Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Partisë Socialiste i duhet mandati i katërt për të anëtarësuar Shqipërinë në Bashkimin Europian.
Duke iu përgjigjur komenteve dhe pyetjeve të qytetarëve të adresuara në platformat sociale, Rama u shpreh se ky është një fat i madh që na ka ardhur në derë dhe duhet ta kapim.
“Duhen katër vite për të anëtarësuar Shqipërinë në Bashkimin Europian dhe për të vënë në vend një profeci dhe një amanet, profecinë e heroit tonë kombëtar e profetit të historisë sonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që kur vuri barrikadën këtu na përcaktoi fatin tonë që është me perëndimin dhe jo me lindjen dhe pastaj gjithë përpjekjen në histori të të parëve tanë, kështu që është fat shumë i madh që na ka ardhur ne në dorë, unë them duhet ta kapim”, u shpreh Rama.
Rama theksoi ndër të tjera duke iu përgjigjur komenteve se opozita nuk ka pranuar asnjëherë humbjen dhe gjithmonë ia vë fajin të tjerëve.
“Ky popull, ty dhe kujtdo si ty, na jep ujë në bisht të lugës nëse ne na gënjen mendja dhe se marrim seriozisht. Unë fitoj jo se jam ndonjë kush e di se kush apo se çfarë, por sepse e marr shumë seriozisht këtë popull dhe problemi fillon ekzaktësisht këtu, i përket asaj pjese që nuk e merr seriozisht këtë popull. Problemi është me ata që të përfaqësojnë ty, që nuk kanë pranuar kurrë një herë që humbin, sepse meritojnë që të humbin dhe gjithmonë ia vënë fajin të tjerëve”, tha Rama.
Rama ironizoi edhe për kontratën 6 milionëdollarëshe të PD me kompaninë lobuese në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Për mua dhe për ne 7×7 nuk bëjnë 6 milionë. Por për ty dhe për të gjithë ata që pijnë ujë kënete që në mëngjes dhe më pas e derdhin këtu 7×7 mund të bëjnë edhe 6 miliardë dhe nëse janë të kënetës për ju janë ok dhe më pas në mënyrën më të pacipë del ndonjë kukumjaçkë e kënetës dhe thotë se mirë se s’ka ndonjë gjë kjo se kaq është x shishe verë që pi Rama. Po ku di ai se çfarë bën Rama në jetën e tij private. Apo hedh njëri një gur në lum, dhe futen 100 të mençur dhe nuk e nxjerrin dot. Në këtë rast gurin e hedh njëri dhe ata që hidhen për ta nxjerrë janë të gjithë gjysmakë e çyrykë”, shtoi Rama.
Sa i përket një komenti për rritje ekonomike që vjen me kohën, Rama tha se “nuk rritet vetë”. “Mund të rritej nga ‘92 në ‘97 nga 2005-2013, por u rrit në mënyrë të deformuar dhe vajti në buzë të gremisë dhe lavdi Zotit që populli shqiptar ndërroi në 2013 rrugën e qeverisë se do të kishim përfunduar si në kohën e piramidës”, tha Rama.