Partitë po përgatiten për zgjedhjet lokale, Mickoski dhe Filipçe të bindur në fitore

nga Redaksia

Shkup, 19 maj – Brenda dhjetë ditëve të ardhshme do të bëhen të njohur shumica e kandidatëve me të cilët partitë do të kërkojnë besimin në zgjedhjet lokale. Si VMRO-DPMNE, ashtu edhe LSDM, paralajmërojnë mbledhje të organeve më të larta partiake deri në fund të muajit. Por liderët e të dyja partive janë të bindur në fitore, shkruan zhurnal.mk.

Mickoski, i cili dje paralajmëroi ndryshime strukturore në parti, sot deklaroi se të gjitha anketat që i merr parashikojnë një fitore bindëse të VMRO-DPMNE-së dhe fshirjen e LSDM-së nga harta e komunave.

“Unë pres, bazuar në shifrat që i marr, një fitore bindëse të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit që do ta udhëheq VMRO-DPMNE. Në ngjarjen e djeshme isha i qartë dhe i saktë – ndoshta LSDM është konkurruese në 2 deri në maksimum 4 komuna. Të jem i sinqertë, nëse vazhdojnë të sillen kështu jo përgjegjshëm, ndoshta nuk do të fitojnë asnjë komunë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Shoh se edhe ata pak që i mbështesin, luajnë me kujtesën e shkurtër të qytetarëve dhe me një politikë nihiliste – gjithçka që bën kjo Qeveri nuk vlen. Epo, nuk mundet që gjithçka që bën kjo Qeveri të mos vlejë”, tha Mickoski.

Pushteti nuk është i vetëdijshëm për revoltën e qytetarëve, të cilën ata do ta shprehin pikërisht në zgjedhjet në vjeshtë, iu kundërpërgjigj Filipçe.

“Guaska e pushtetit në të cilën ndodhen, është gjithnjë e më e ngushtë. Nuk janë të vetëdijshëm për revoltën dhe zemërimin që ndiejnë njerëzit. Për shkak të pagave, shpenzimeve, presionit që e ushtrojnë ndaj kompanive, mospagesës së kthimit të TVSH-së, revoltës që shpërthen në rrugë pas tragjedisë në Koçan ku humbën jetën 62 fëmijë. Askush nuk i ka pritur dhe dëgjuar prindërit që kanë çfarë të thonë dhe të kërkojnë. Si do të jetë rezultati i zgjedhjeve lokale, mund ta thonë qytetarët. A duan të jetojnë në një vend të tillë, në periferi të Evropës, të zhytur në borxhe, me interesa të larta, apo në një vend prosperues dhe evropian”, tha Filipçe.

LSDM tashmë e ka siguruar aleatin e parë për zgjedhje, NSDP si partner tradicional dhe shumëvjeçar, edhe në këto zgjedhje mbetet pjesë e koalicionit të tyre pas mbledhjes së djeshme të Komitetit Qendror. Nuk priten ndryshime as në koalicionin prej 24 partive që aktualisht udhëhiqet nga VMRO-DPMNE.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More