Kur LSDM-ja është në vdekje klinike, Filipçe kërkon oksigjen politik përmes “takimeve të liderëve”

nga I.A

Shkup, 27 maj – Venko Filipçe, lideri i sapozgjedhur i LSDM-së dhe ish-ministër i Shëndetësisë, po përpiqet të rifitojë vëmendjen publike përmes një taktike të njohur në politikën ballkanike, kërkesa për “takime liderësh” si mjet për të ndërtuar peshën e munguar politike. Në vend që të ndërtojë legjitimitetin përmes vizionit dhe përmbajtjes, Filipçe duket se ka zgjedhur të qëndrojë në hijen e liderëve të tjerë në mungesë të një agjende reale, e aq më pak përkrahjeje popullore, shkruan Zhurnal.

A po tenton Filipçe të përfitojë nga hija e liderëve të tjerë?

Në thelb, kërkesa e Filipçes për një takim të ri të liderëve vjen jo nga nevoja për vendimmarrje të rëndësishme shtetërore, por nga dëshira për të qëndruar në qendër të vëmendjes, në një kohë kur partia që ai drejton, LSDM, po përjeton kolapsin më të thellë në historinë e saj të pasluftës.

VMRO-DPMNE e ka refuzuar hapur këtë ftesë, madje me ironi ka sugjeruar që Filipçe të takohet me partnerët e tij ideologjikë si Ali Ahmeti, Arben Taravari dhe Apasievi, një përqeshje që vë në pah perceptimin e tij si një figurë e dobët e dorës së dytë, pa legjitimitet për të thirrur tryeza vendimmarrëse.

Ironikisht, në vend që të paraqesë një platformë të re për ta rikthyer LSDM-në në lojë, Filipçe përpiqet ta zëvendësojë përmbajtjen me formalitetin, dhe t’i japë vetes peshë përmes simbolikës boshe të dialogut politik, që në thelb nuk ka as përmbajtje, as mbështetje reale. Deklarata e tij se “Qeveria nuk ka koncept veprimi” mund të jetë në vetvete e saktë, por vjen nga një lider që as vetë nuk ka koncept, përveç përpjekjes për të mbijetuar politikisht.

Zëvëndëskryeministri, Arben Fetai, ka qenë i qartë dhe i matur në komentin e tij takimet e liderëve janë të zakonshme dhe pjesë e praktikës politike në vend, por duhet të kenë përmbajtje, kontekst dhe rezultat jo të shërbejnë si platformë për ringritje personale.

LSDM është shndërruar në një parti në kolaps të thellë –

Analizat elektorale pas zgjedhjeve të fundit e kanë konfirmuar atë që ishte ndier prej kohësh LSDM është në vdekje klinike, jo vetëm si forcë politike, por si strukturë organizative. Humbja e thellë në nivelin qendror dhe lokal, rënia drastike e anëtarësisë aktive, mungesa e profilizimit ideologjik dhe përçarjet e brendshme, e kanë shndërruar këtë dikur motor të tranzicionit maqedonas në një parti pa orientim, pa ndikim dhe, më e rëndësishmja, pa shpresë për rimëkëmbje të afërt. Edhe nëse i jepet një mandat i plotë për të qëndruar në opozitë, LSDM-së do t’i duhet jo vetëm kohë, por një riformatim rrënjësor për të rikthyer besimin e qytetarëve.

Në këtë realitet, tentativa e Filipçes për të “aktivizuar” figurën e tij përmes tryezave të liderëve nuk i shërben as vetë partisë që përfaqëson. Përkundrazi, shfaqet si përpjekje e dëshpëruar për ta mbuluar boshllëkun programor me lëvizje kozmetike, që as mobilizojnë elektoratin e tij, e as krijojnë perceptimin e një alternative serioze përballë VMRO-së në pushtet apo partive shqiptare në rritje. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More